Princi Harry pëson goditje ligjore, botuesi i “Daily Mail” kërkon 34.5 milionë paund pas humbjes së gjyqit nga personazhet e famshëm

Princi Harry dhe gjashtë personazhe të tjerë të njohur publike po përballen me detyrimin për të paguar fatura të jashtëzakonshme ligjore, pas humbjes së gjyqit të bujshëm kundër kompanisë botuese të tabloidit britanik Daily Mail, Associated Newspapers Limited (ANL).
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Londrës — e cila rrëzoi padinë për shkelje të privatësisë dhe përgjime të paligjshme për shkak të provave të pamjaftueshme — avokatët e botuesit kanë formalizuar sot kërkesën për dëmshpërblimin e shpenzimeve gjyqësore në masën 34.5 milionë paund (mbi 40 milionë euro).
Sa do të paguajnë paditësit nga xhepi i tyre?
Shuma e kërkuar nga ANL pritet të ndahet mes shtatë paditësve, mes të cilëve numërohen Duka i Sussex-it, ylli i muzikës pop Elton John, bashkëshorti i tij David Furnish, si dhe baronesha Doreen Lawrence, anëtare e Dhomës së Lordëve dhe aktiviste e njohur kundër racizmit.
Sipas raportimeve mediatike, paditësit kishin marrë paraprakisht një polisë sigurimi ligjor që mbulon shpenzimet deri në 16.2 milionë paund. Nëse gjykata miraton kërkesën e plotë të Daily Mail shuma prej 16.2 milionë paundësh do të mbulohet nga kompania e sigurimeve.
Diferenca prej 18.3 milionë paundësh do të duhet të paguhet drejtpërdrejt nga xhepat e vetë personazheve të famshëm.
Argumentet e botuesit dhe vendimi i ardhshëm i gjykatës
Avokatët e kompanisë ANL e kanë mbrojtur shifrën rekord, duke e cilësuar padinë e ngritur nga Princi Harry dhe figurat e tjera si një “kryqëzatë ligjore me synim shkatërrimin e gazetës”, e cila ka zgjatur në kohë dhe i ka shkaktuar dëm të madh reputacionit të mediatikëve.
“Padia e ngritur nuk ishte aspak e zakonshme apo e arsyeshme. Ajo u shoqërua me një përmbytje publiciteti negativ që dëmtoi drejtpërdrejt reputacionin e gazetës dhe të gazetarëve tanë.” tha ekipi mbrojtës i Associated Newspapers Limited (ANL)
Vendimi përfundimtar mbi bazueshmërinë e tarifave dhe kërkesën e botuesit për ekzekutimin e menjëhershëm të të paktën një të katërtës së shumës totale pritet të merret së shpejti nga Gjykata e Lartë e Londrës.