Kallëzimi për Berishën, PD: Askush s’ia mbyll gojën opozitës

Partia Demokratike ka reaguar ndaj bërjes publike të lajmit të kallëzimit penal të ish-kryeministrit Sali Berisha për shpifje. “Pa ide, i papërgatitur dhe i papërgjegjshëm, Edi Rama po kërkon të fusë të vërtetën në karantinë.

Po bën gjithçka që të politizojë denoncimet që nxjerrin në pah dështimin e tij dhe të qeverisë së tij për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi. Këtë herë dështimi i Edi Ramës rrezikon jetë, kështu që asnjë padi, kërcënim apo shantazh nuk do të na largojë ne nga misioni për të thënë të vërtetën. Vetëm ditët e fundit janë dy raste flagrante të denoncuara nga opozita dhe që, për fat të keq rezultuan të vërteta”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Të vërtetat e opozitës janë deklarata e ish-kryeministrit Berisha për të moshuarën nga Durrësi që ndërroi jetë, e infektuar me koronavirus, por pa u trajtuar sipas protokollit, si dhe denoncimi i Partisë Demokratike për shpërndarjen nga qeveria të 1.2 milionë maskave të skaduara për personelin shëndetësor.

“E vërteta është se qeveria, edhe sot që flasim nuk ka tërhequr sasinë e maskave të skaduara të shpërndara për personelin mjekësor. Akoma shumica e mjekëve dhe e stafit shëndetësor, që përballen me qindra njerëz në ditë, punojnë të pambrojtur.

E vërteta është se qeveria nuk ka vënë në dispozicion fondet e nevojshme për përballimin e situatës. 3.5 milionë dollarë janë të asgjë para përmasave në rritje të krizës. Ky fond nuk mjafton as për të furnizuar me dezifektant qendrat shëndetësore dhe spitalet në të gjithë vendin”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Një tjetër akuzë e opozitës është mos tërheqja e maskave të deklaruara si të skaduara,si dhe qeveria vonoi me dy javë vendimmarrjen për të mbyllur aktivitetin në ambiente që ka prezencë shumë të madhe të njerëzve, duke u kthyer në potencial të madh rreziku për përhapjen e virusit.

Për PD-në, qeveria nuk mori asnjë masë për të siguruar që personat e ardhur nga Italia të vetëkarantinoheshin për një periudhë 14 ditore, siç kërkon protokolli i sigurisë për mos përhapjen e virusit. “Në këtë moment që flasim, aktiviteti i bizneseve që kanë prezencë të madhe njerëzish në një ambient të mbyllur, si biznesi fason apo call center, vijojnë punën dhe nuk janë urdhëruar për mbyllje.

Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të lehtësuar nga taksat, tarifat dhe sigurimet shoqërore/shëndetësore, bizneset që janë urdhëruar të ndërpresin aktivitetin e tyre. Qeveria nuk ka marrë masa për të mundësuar funksionimin normal të linjës së urgjencës 127, e cila ka vështirësi për aksesim për shkak të fluksit”, shprehen demokratët në reagimin e tyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT