Mediat ruse: Atmosfera e ngrohtë e takimit Lavrov-Rama, janë takuar edhe në 2013

Kryeministri Rama zhvilloi vizitën e parë në Rusi në cilësinë e ministrit të jashtëm shqiptar si kryesues i OSBE për vitin 2020, ku tema kryesore ishte çështja e Ukrainës.
Mediat ruse kanë raportuar për vizitën e Edi Ramës në Moskë duke e pasqyruar si një vizitë që ka të bëjë më shumë me marrëdhëniet Shqipëri-Rusi sesa me funksionin e tij si kryesues i OSBE.
Gazetat dhe portalet kryesore kanë pasqyruar më tepër deklaratat e komunikimit Moskë-Tiranë dhe shumë pak për çështjen e Ukrainës, që ishte dhe tema e vizitës.
Deklarata e Edi Ramës për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Rusia, në media ruse ka kaluar pa u vënë re dhe thuajse nuk ka ekziston e pasqyruar.
Gazeta ruse “Kommersant” ka analizuar konferencën e Edi Ramës me ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov dhe ka veçuar disa nga deklaratat e tyre.
Gazeta citon qëndrimin e Edi Ramës kur deklaroi se “mes Moskës dhe Tiranës nuk ka pasur asnjë telefonate në shumë vite”.
Në shkrim theksohet se “realisht nuk ka pasur telefonata, por e vërteta është se Lavrov ka pasur një takim në vitin 2013 më Edi Ramën në një samit të OKB”.
Gjithashtu, gazeta vë theksin te raportet personale mes Edi Ramës dhe Lavrov. Vlerësimet e Edi Ramës që e cilësoi Lavrovin si një “enciklopedi të gjallë” dhe shton se mes dy politikanëve “ka kimi dhe merren vesh shumë mirë”.
Ndërsa media ruse “Rambler” veçon në shkrimin e saj deklaratën e Edi Ramës se me dy shteteve nuk ka pasur asnjë komunikim.
“Kryeministri Edi Rama përsëriti disa herë gjatë konferencës së mes Tiranës dhe Moskës nuk ka pasur asnjë telefonatë prej shumë vitesh. Lavrov nga ana e tij i tha se këtë vit do të kemi shumë telefonata të përbashkëta edhe për çështje dy palëshe”, shkruan “Rambler”.
Ndërsa media “Regnum.ru” e raporton takimin me titullin “Lavrov takon një koleg nga Shqipëria”, duke vënë theksin tek atmosfera e ngrohtë e takimit.
Një nga agjencitë më të mëdha të lajmeve në rusi “Ria” në raportimin për takimin veçon gatishmërinë e Rusisë për të zhvilluar marrëdhënie me Shqipërinë.
“Lavrov deklaron gatishmëri për bisedime të rregullta me Shqipërinë”, thuhet në artikullin e agjencisë ruse.
“Ria” veçon nga konferenca jo deklaratat për Ukrainën, por gatishmërinë e Edi Ramës për të folur dhe komunikuar me ministrin e Jashtëm të Rusisë për çështjet që lidhen dhe me marrëdhëniet dypalëshe.