Në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavi

Prof. Ksenofon Krisafi
(Vijon nga numri i kaluar)
Kërkesa e qeverisë shqiptare për laureimin e Kuksit nuk e pati shansin të merrte miratimin e Komitetit të Institutit norvegjez të Çmimit “Nobel” për Paqen. Megjithatë kjo nuk i cenon vlerat dhe meritat e jashtëzakonshme të qytetarëve të Kukësit në përballimin e pasojave të rënda të krizës së motrave dhe vëllezeërve të përtej kufirit shtetëror.
Drama e Kosovës, dhimbja e njerëzve të saj të traumatizuar, u shpërnda nga Kukësi në çdo skaj të Shqipërisë. Kosovarët, përmes një eksodi me përmasa të papara, u zhvendosën në Shqipëri, gjetën strehë dhe ngrohtësi vëllazërore dhe pritën me padurim largimin e serbëve, për t’u rikthyer në trojet dhe shtëpitë e veta të djegura ose të shkatërruara prej tyre.
Kjo që po ndodhte në territorin e Shqipërisë në ato ditë të fillimit të pranverës së vitit 1999, ishte vazhdë dhe shprehje e fuqishme e ndjenjës së pashuar të dashurisë, solidaritetit të përhershëm vëllazëzor të shqiptarëve të Shqipërisë me motrat dhe vëllezërit e tyre në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare jashtë kufijve të vendit.
Në të njëjtën kohë, ne diplomatët e Shqipërisë, të ndodhur në Gjenevë dhe në metropolet e tjera kryesore të globit, rendnim e trokisnim fort sa nga një kanceleri në tjetrën, me alarm dhe dhëmbje në shpirt, për të sensibilizuar forumet ndërkombëtare dhe shtetet për ndërhyrje të vendosur dhe ndihmë të menjëhershme.
Djemtë e Shqipërisë në UÇK-së
Atdheu i shqiptarëve ishte vënë i tëri përkrah luftës së djemve dhe vajzave të Kosovës dhe mbarë popullit të saj jo vetëm me rezoluta, deklarime, protesta, ndërhyrje, fjalime etj, por edhe me veprime të tjera më konkrete. Në radhët e UÇK-së u rreshtuan edhe 148 shtetas shqiptarë nga Shqipëria, kryesisht oficerë e ish oficerë të ushtrisë shqiptare, si dhe mjaft të rinj. Prej tyre 31 ranë në frontin e luftës për lirinë e Kosovës dhe janë dëshmorë të saj.
Në kohën e luftës dhe veçanërisht të ndërhyrjes së forcave të NATO-s, Shqipëria vuri në dispozicion gjithë vendin, porte, aeroporte, rrugë, ura dhe gjithëçka tjetër të dobishme.
Në vitin 1991, qeveria shqiptare e asaj kohe, edhe pse përballej me pengesa të karakterit juridiko-ndërkombëtar, ngarkoi Ministrinë e Mbrojtjes, që të merrte masat e duhura dhe të vinte në dispozicion të stërvitjes dhe përgatitjes ushtarake të disa prej tyre, terrenet shtetërore të stërvitjes në Surrel, ambientet e strehimit, poligonet, armatimet, ushqimet dhe gjithçka tjetër. Për këtë u lidh një marrëveshje me titullarët e disa strukturave të caktuara në Kosovë. Për përgatitjen dhe stërvitjen e 106 djemve nga Kosova u angazhuan specialistë dhe pedagogë të Akademisë Ushtarake. Një pjesë, pas mbarimit të kursit, kaluan kufirin së bashku me armatimin dhe u angazhuan në aksione të armatosura kundër forcave serbe. Midis tyre pati nga ata që u rreshtuan në UÇK. Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti etj ranë në fushën e betejave.
Në mjediset publicistike shqiptare ka qarkulluar edhe një mendim tjetër, sipas të cilit, disa prej kontigjentit të sipërpërmendur, në vitin 1997, të mashtruar dhe të mobilizuar, me kërkesën e politikanëve në Tiranë, u urdhëruan të riktheheshin në Shqipëri, për të shtypur një “grusht rebelësh” në jugun e vendit. Ndryshe nga sa iu ishte thënë, ata panë se, duhet t’i kundërviheshin një lëvizjeje masive, e cila nuk ishte një fenomen jugor, por i shtrirë pothuajse në tërë vendin, si shprehje e revoltës së gjerë popullore, të shkaktuar nga politika mashtruese, vjedhjet, korrupsioni i qeverisë shqiptare të asaj kohe, që i kishte zhytur njerëzit në një varfëri të skajshme. Pas kësaj, pak prej tyre u përfshinë në “radhët” e falangistëve të trupës presidenciale.
Në kohën e Luftës hynë në Kosovë mijëra luftëtarë të UÇK-së që vinin nga Europa e ShBA si dhe një pjesë e mirë e armëve, pajisjeve dhe furnizimeve ushtarake, duke kaluar nëpër tokën shqiptare nga Durrësi, Vlora, Rinasi etj. Brenda më pak se shtatë muajsh, mbi 10 mijë kosovarë lanë punën dhe banesat e tyre në vendet perëndimore, ku jetonin prej vitesh dhe morën rrugën drejt atdheut të vet, për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së.
Tirana për Kosovën
Krahas betejave të UÇK-së në terren, në metropolet e mëdha, në Uashington, Londër, Paris, Nju Jork, Gjenevë, Moskë por edhe në Tiranë etj, nga ana e diplomacisë multilaterale e bilaterale botërore, zhvilloheshin me intensitet të shtuar demarshe politiko-diplomatike dhe negociata për identifikimin e alternativës politike më adeguate, si zgjidhje e çështjes së Kosovës. Ato nuk mund të mos mbanin parasysh edhe peshën e faktorit shqiptar, ku Shqipëria kishte padyshim një rol të veçantë. Tirana ishte përfshirë në këto tratativa sepse përfaqësonte në një farë kuptimi “shtetin amë” të të gjithë shqiptarëve, por edhe sepse që prej 1912 ishte prezantuar kurdoherë si mbështetësja kryesore e përpjekjeve për liri e pavarësi e vëllezërve dhe motrave të një gjaku, të cilët diplomacia e Fuqive të Mëdha i la jashtë kufijve të shtetit amë.
Aty nga mesi i vitit 1998, situatat në kufirin shqiptaro-kosovar dhe marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë, po shkonin me shpejtësi drejt acarimit të skajshëm. Për këtë arsye më 22 qershor 1998 kryeministri Fatos Nano, deklaronte se vendi i vet ishte “në pragun e një lufte” me Serbinë dhe i kërkonte NATO-s ndërhyrjen e saj në krizën kosovare. Ai pranoi se qeveria shqiptare kishte kontakte me përfaqësues të “rezistencës së armatosur” shqiptare në Kosovë, pa e cituar shprehimisht UÇK-në. Foli hapur për një “rezistencë spontane në terren” përballë “masakrave” të kryera nga serbët. Nano u shpreh zyrtarisht në favor të ruajtjes së lidhjeve ndërmjet grupeve politike shqiptare dhe grupeve të armatosura në Kosovë. Më 18 dhe 19 korrik 1998, në kufirin shqiptaro-jugosllav pati luftime të ashpra ndërmjet ushtrisë federale jugosllave dhe luftëtarëve të UÇK, gjatë të cilave u vranë rreth njëqind vetë. Predhat e obuzëve jugosllavë ranë edhe në territorin e shtetit shqiptar. Tirana e akuzoi Jugosllavinë për “kërcënim të integritetit dhe sovranitetit” të Shqipërisë, duke deklaruar se operacionet serbe, që përbëjnë një agresion fashist të Beogradit, kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, synojnë ta përfshijnë Shqipërinë në një konflikt rajonal shumë të rrezikshëm. Por ajo ishte gati dhe e aftë të ruante integritetin e saj territorial.
Muaj më vonë presidenti shqiptar Rexhep Meidani, gjatë një vizite zyrtare në Paris, propozoi hartimin dhe zbatimin e një Plani Marshall për rajonin e Ballkanit. Ai foli për nevojën e një ndihme ekonomike që Bashkimi Europian duhet t’i akordonte Shqipërisë që t’i lejonte asaj të kapërcente vështirësitë dhe t’i rikthehej zhvillimit. Meidani përsëriti gjithashtu se autoritetet shqiptare ishin në kontakte të rregullta me UÇK-në dhe shprehu dëshirën që Aleanca Atlantike ta ndihmonte atë në luftën e saj kundër forcave serbe. Ndërkohë Presidenti francez Zhak Shirak (Jacques Chirac), pasi vlerësonte “fisnikërinë e jashtëzakonshme” të Shqipërisë, në pritjen e 360000 refugjatëve kosovarë, të dëbuar si bagëti nga trupat serbe, theksonte vendosmërinë e vendeve të NATO-s për të vazhduar sulmet ajrore ndaj “forcave të represionit serb deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje politike,” deri sa drejtuesit e Beogradit t’i riktheheshin arsyes.
Më 28 maj 1999, na mbërriti në Gjenevë teksti i fjalimit që Meidani mbajti atë ditë në Parlamentin Europian, në Strasburg. Ai duhet të përdorej nga ana jonë në fjalimet, deklaratat, ndërhyrjet ose në bisedat me kolegtë tanë për çështjen e Kosovës. Presidenti ishte shprehur kundër ndarjes së Kosovës dhe kërkoi vendosjen e saj nën një “protektorat ndërkombëtar” ose “autoritet ndërkombëtar”. Këtë ide e përsëriti edhe në një intervistë dhënë në të përditshmen franceze “Le Monde”. Pohoi se kosovarët nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre “pa tërheqjen e forcave të makinerisë së luftës serbe dhe pa u vënë nën mbrojtjen ushtarake ndërkombëtare të drejtuar nga NATO”. Për Presidentin shqiptar lufta e re në Ballkan nuk është “një luftë ndërmjet dy shteteve, ndërmjet dy etnive, por një konflikt ndërmjet dy mentaliteteve,… një luftë ndërmjet politikës së spastrimit etnik dhe nga ana tjetër demokracisë, respektit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave politike. Hodhi poshtë akuzat e propagandës serbe, e cila pretendonte se Shqipëria kërkonte ta përfshinte Kosovën në një “Shqipëri të Madhe”.
Siç shihet, politika shqiptare, që nga maja e piramidës shtetërore, së bashku me gjithë sistemin e mbrojtjes, sigurisë, rendit, ekonomisë dhe diplomacisë së saj, brenda dhe jashtë vendit, krahas ndërkombëtarëve, ishte angazhuar tërësisht, për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve të shpejta dhe të përshtatshme për situatat tepër të rënda në Kosovë, të cilat po degradonin nga ora në orë, nga çasti në çast, duke u shoqëruar me pasoja të rënda.
Në terrenin praktik ky ishte një angazhim i rëndësishëm, delikat, voluminoz dhe i jashtëzakonshëm për strukturat kompetente të shtetit shqiptar, përfshirë aty edhe Misionin e tij në Gjenevë. Përveç përkushtimit ai kërkonte kohë dhe njerëz të kualifikuar. Edhe pse diplomatët, për kushtet tepër specifike të asaj kohe mungonin, Misioni përjetonte fuqimisht dramën e motrave dhe vëllezërve kosovarë, përballej me vështirësi të shumta dhe arrinte t’i kryente pa u lodhur detyrat e veta. E gjykuar në këtë kontekst, puna dhe veprimtaria e tij, pjesë tepër modeste iu bashkuan betejave të mëdha të faktorit shqiptar dhe atij ndërkombëtar që zhvilloheshin aso kohe, paralel me luftën në Kosovë, për të gjetur dhe sanksionuar një zgjidhje të përshtatshme, në interes të të gjitha palëve.