Vala ekstreme e të nxehtit thyen rekord në Gjermani, sot pritet deri në 42°C

Gjermania ka regjistruar temperaturën më të lartë të matur ndonjëherë në vend, me termometrin që arriti në 41.3 gradë Celsius në një lagje të qytetit Saarbrücken, në perëndim të vendit. Të dhënat paraprake janë bërë publike nga Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD).
Sipas DWD-së, kjo është hera e parë që në Gjermani regjistrohet një temperaturë kaq e lartë që nga fillimi i matjeve meteorologjike. Rekordi i mëparshëm ishte 41.2 gradë Celsius, i shënuar më 25 korrik 2019.
Meteorologu i DWD-së, Uwe Baumgarten, tha për AFP se temperaturat mund të arrijnë ose edhe të tejkalojnë këtë rekord gjatë ditës së shtunë, ndërsa e diela pritet të jetë dita më e nxehtë e valës së të nxehtit, me temperatura që mund të ngjiten deri në 42 gradë Celsius. Sipas parashikimeve, moti ekstrem do të vijojë edhe në ditët e para të javës së ardhshme.
Autoritetet meteorologjike kanë lëshuar paralajmërime për valë të forta deri në ekstreme të të nxehtit në të gjithë territorin gjerman.
Temperaturat e larta kanë sjellë edhe pasoja praktike, duke çuar në anulimin e aktiviteteve sportive dhe eventeve në ambiente të hapura në shumë rajone. Ndërkohë, kompania kombëtare e hekurudhave ka paralajmëruar për vonesa dhe probleme në qarkullim për shkak të vapës, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme.
Nga dita e shtunë pritet gjithashtu një rritje graduale e rrezikut për stuhi nga perëndimi i vendit, të shoqëruara me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.