Spiunë rusë dhe iranianë, diplomatët e shpallur “non grata” nga Shqipëria

Shqipëria ka qenë përherë në krye të listës së vendeve që i është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku bëhet fjalë për diplomatë që janë shpallur non grata, për shkak të shkeljes së statusit të tyre.
Shqipëria ka një “vden nderi” në raport me Shtetet e Bashkuara për vendimmarrjen e përzënies së diplomatëve me mision spiunazhi në Shqipëri.
Shqipëria e nis përjashtimin e diplomatëve me dy diplomatë rusë për shkak se “veprimtaria e tyre nuk përputhej me statusin e tyre diplomatik”. Vladislav Filipov, atashe ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës janë detyruar të lënë Tiranën.
Dy diplomatë rusë u shpallën të padëshiruar. Kjo erdhi si një përgjigje e koordinuar ndaj helmimit me gaz nervor të Sergei Skripal, një ish-oficer i shërbimit sekret rus i kthyer në agjent të dyfishtë dhe vajzës së tij Julia në Salisburi të Mbretërisë së Bashkuar më 4 mars.
Në një njoftim për shtyp të asaj kohe, Ministria e Europës dhe e Punëve të Jashtme komunikoi urdhrin e përzënies së ambasadorit të Rusisë në Shqipëri Aleksandër Karpushin. “Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksander Karpushin, të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”-thuhej në njoftimin e shkurtër për shtyp të shpërndarë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Vendimi nuk ishte i papritur pasi ditë më parë qeveria shqiptare pati pohuar se po shqyrtonte kërkesën për largimin e diplomatëve rusë të akredituar në Tiranë, në kuadër të sanksioneve që kishte vendosur NATO ndaj Rusisë pas helmimit me agjentë nervor kimikë të ish-spiunit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britaninë e Madhe.
Burime qeveritare bënë të ditur se NATO u kërkoi vendeve anëtare t’i bashkohen sanksioneve. Lista e diplomatëve rusë u përpilua nga SHISH, Ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme.
Pas tyre radha ishte e iranianëve, të cilët Irani i solli si diplomatë por Shqipëria i dëboi si të përfshirë në spiunazh. Disa ditë më parë Ministria e Europës dhe punëve të Jashtme tha se dy diplomatët iranianë, shpallen persona të padëshirueshëm për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre.
Mohammad Ali Arz Peimanemati ishte Konsulli i Ambasadës Iraniane në Shqipëri. Me një të kaluar aspak diplomatike, por i caktuar i tillë, me një qëllim tjetër krejt të kundërt me atë çfarë duhet të bëjë një diplomat. Ai ishte anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit “Quds”.
Seyed Ahmad Hosseini Alast, mbante postin e Atasheut kulturor, por me ndihmën e partenerëve ndërkombëtarë, Drejtoria e Antiterrorit dhe Shish morën të dhëna se Alast kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike.
Shqipëria shpalli non grata në Dhjetor 2018 edhe Gholamhossein Mohammadnia ambasador i Iranit në Shqipëri nën dyshimin se ishte agjent i shërbimeve sekrete iraniane duke e dëbuar. Të njëjtin fat pati edhe Mostafa Roudaki, një tjetër diplomat ish-sekretar i Ambasadës së Iranit në Shqipëri duke u dëbuar po në dhjetor 2018.
Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Veçantë për Balkanin Perëndimor Mattheë Palmer në takimin me ambasadoren e re amerikane Yuri Kim e vlerësoi, si “qëndrimin e guximshëm dhe parimor të Shqipërisë mbi Iranin” dëbimin e dy diplomatëve. Po ashtu edhe Departamenti i Shtetit përshëndeti dëbimin e tyre nga Tirana.