Arsyet se përse (nuk) mund të zhvillohen zgjedhje të parakohshme
Nga Edison Balla

Që nga momenti kur opozita “braktisi” parlamentin dhe e përqendroi aksionin e saj politik në rrugën e protestave, kërkesa e saj e vazhdueshme ka qenë zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. Edhe pse duhet thënë që me kohën ka ndryshuar mënyra sesi është artikuluar kërkesa e saj.
Mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet vendore të qershorit, duket se ishte një mesazh i qartë për qeverinë dhe përforcimin e qëndrimit për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Por kohët kaluan, dhe siç edhe u pa shumë gjëra në dukje jo normale nisën të futeshin në binarët e normalitetit.
Ndërkohë opozita e bashkuar akoma kërkon me ngulm zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, si të vetmen mënyrë sipas tyre që vendi të tejkalojë krizën insitucionale.
Por a ekzistojnë në të vërtetë kushtet reale për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme?
Marrëveshja e 17 Majit që bëri Basha me Ramën për tejkalimin e krizës për futjen në zgjedhjet e 2017-s, tronditi jo pak pozitat e kreut të PD duke sjellë me vete edhe akuza se kjo marrëveshje mund të vazhdojë akoma dhe sot. Në dukje kjo një marrëveshje e heshtur që mund të përcaktojë e të pamundësojë edhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Kjo pasi edhe ish drejtues të Partisë Demokratike, përmendim këtu Topallin, Patozin, ish presidentin Topi e të tjerë, kanë akuzuar Bashën se akoma po vazhdon marrëveshjen e 17 majit.
Megjithatë përtej aludimeve të njërit apo tjetrit krahë, duhet thënë që ka arsye objektive që mund të pamundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, maksimumi deri në muajin qershor.
Kështu, zgjatja e kohës së gjendjes së jashtëzakonshme deri në muajin mars, do të bëjë mjaft të vështirë plotësimin e kërkesës së opozitës për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Kjo sepse në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme siç edhe parashikon kushtetuta dhe Ligji për gjendjen e jashtëzakonshme, nuk mund të zhvillohen zgjedhje të përgjithshme përveç atyre të pjesshme ku për arsye të ndryshme ndonjë bashki mund të ngelë pa organe drejtuese.
Gjithsesi zyrtarisht duhet thënë që Kodi Zgjedhor nuk e pamundëson zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme deri në muajin qershor, pasi siç edhe parashikon neni 10 pika 3 e këtij akti, data për zgjedhjet vendore mund të caktohet ndërmjet afateve 31 mars dhe 15 tetor.
Ajo që e bën të vështirë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme është fakti që koha e përgatitjes për fushatë do të jetë e pamjaftueshme që zgjedhjet të zhvillohen brenda pranverës së këtij viti.
Po aq edhe tërmeti i ndodhur në 26 nëntor duket se e zhvendosi vëmendjen në tjetër kënd, për politikën dhe opinionin publik. Opozita duket më e qetë në kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme, pasi vendi po përballet akoma me pasojat e tërmetit. Nga ana tjetër kjo ndodhi mund të “përdoret” si justifikim nga qeveria për moszhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, pasi vëmendja e saj është tani tek rikuperimi i dëmeve.
Siç çdo medalje ka dy anë, dihet që edhe kjo ngjarje ka dy mundësitë propabile: që të ndodhë apo të mos ndodhë. Ndaj edhe tani mund të arsyetojmë mbi disa mundësi se përse mund të ketë zgjedhje të parakohshme brenda kësaj pranvere.
Marrëveshja e 17 majit, mund të ketë edhe një pakt të heshtur mes palëve që mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Kjo mund të arsyetohet me diskurin politik të opozitës dhe me tërheqjet e tij të herëpashershme. Tërheqje këto që të japin përshtypjen për ekzistencën e një marrëveshje mes palëve.
Largimi i dy kryebashkiakëve me akuzën e shkeljes së ligjit të dekriminalizimit, duke mos deklaruar dënimet e tyre të hershme dhe dyshimi për tre kryetarë të tjerë bashkish, duket se e përforcon akoma më tej mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve. Kjo sepse tashmë dyshimi për këto kryebashkiakë po kthehet edhe në një perceptim masiv për pjesën tjetër. Perceptim i cili mund të godasë fort të gjithë legjitimitetin e zgjedhjeve të qershorit.
Kushti i vendosur nga Bundestagu gjerman që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim për (de) legjitimitetin e zgjedhjeve të qershorit, mund të jetë një mundësi reale që mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakoshme për qeverisjen vendore, edhe pse nga opozita është kërkuar zhvillimi i zgjedhjeve për të dyja nivelet.
Dakordësia e palëve, pra pozitës dhe opozitës për realizmin e reformës zgjedhore mund të ngjajë si një “skemë” për t’i përafruar palët në qëndimet e tyre për zgjedhje të parakohshme.
Por nga ana tjetër, ulja në tryezë me drejtuesin e Komisionit të reformës zgjedhore, z. Damian Gjiknuri, i akuzuar nga opozita si i lidhur me fenomenin e shitblerjes së votave, mund ta godasë shumë besimin në këtë proces. Po aq mund të godasë edhe besimin e opinionit publik në seriozitetin e opozitës për zgjedhje të parakoshme.