Njeriu i Merkel, gati të “ndërmjetësojë” mes LDK-së dhe Vetëvendosjes

Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës e kërkon me ngulm edhe Berlini zyrtar. Në përpjekje për të lehtësuar dhe avancuar negociatat mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, në 19 dhjetor ndaluan për një vizitë zyrtare në Prishtinë dy deputetët gjermanë, Peter Beyer dhe Christian Schmidt.

Ata përcollën mesazhe shumë të qarta, duke kërkuar që palët të arrijnë një koalicion dhe marrëveshja, të mos dështojë për shkaqe teknike. Megjithatë, një muaj pas asaj vizite, kujton “Gazeta Express”, LDK dhe Vetëvendosje kanë mbetur po në të njëjtat pozicione dhe Kosova ende nuk ka qeveri të re.

Njeriu i kancelares Merkel, Peter Beyer, shprehet i gatshëm të udhëtojë përsëri drejt Kosovës në rast se një gjë e tillë konsiderohet se mund të ndihmojë LDK dhe Vetëvendosje.

“Në çdo moment që partitë politike në Kosovë e gjykojnë të dobishme, unë do të jem i gatshëm të udhëtoj përsëri”, ka thënë Beyer. I pyetur nga “Express” se cili është mesazhi për partitë tashmë kur procesi për krijimin e institucioneve të reja ka ngecur për më shumë se 3 muaj, deputeti gjerman u shpreh se ka besim që dy palët do të veprojnë me përgjegjësi duke marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë hedhur votën e tyre 3 muaj më parë. Unë kam gjithë besimin tek aktorët politikë se do të veprojnë me përgjegjësi bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme, gjë që gjithashtu nënkupton krijimin e një qeverie solide, të qëndrueshme dhe plotësisht funksionale në kohën e duhur”, ka qenë komenti i tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT