Raporti i ISP: Qeveria keqpërdori fondet publike për qëllime elektorale

Zgjedhjet lokale të 30 qershorit të 2019 u zhvilluan nën një tension politik të lartë kur bojkotoi opozitës.

Për këtë arsye procesi nuk iu përmbajt ligjeve dhe ka pasur abuzim me fondet dhe burimet e administratës njerëzore.

Në raportin e publikuar nga Instituti i Studimeve Politike, i cili u fokusua kryesisht në fushatat zgjedhore në Durrës, Vlorë dhe Kamëz thuhet se “Gjatë fushatës elektorale u konstatua se Kryeministri dhe anëtarë të kabinetit bënë inaugurime të projekteve të financuara nga buxheti i shtetit, duke qenë i veshur me stemën elektorale të PS, duke qenë i shoqëruar me kandidatin për bashkinë dhe duke bërë deklarata elektorale, i shoqëruar gjithashtu edhe nga një shpurë punonjësish të administratës qendrore dhe vendore, shumica e të cilëve me status nëpunësi civil”.

Nga monitorimi i ISP, u konstatua se Kryeministri, ministrat dhe zyrtarët e institucioneve kryesore në takimet elektorale partiake, përdorën mjetet e punës si zyrtarë publikë, siç janë makina, stafi, vartësit, karburanti, mjetet teknike të fonisë, etj, si dhe disa prej tyre, sidomos kryeministri, u shoqërua në çdo aktivitet partiak nga forca të shumta të Policisë së shtetit dhe gardës së Republikës.

Këto shpenzime te dedikuara vetëm për drejtimin e fushatës elektorale dhe pjesëmarrjes së tyre në takime, ngrenë pikëpyetje të mëdha në kuadër të zbatimit të legjislacionit elektoral që ndalon shfrytëzimin e burimeve shtetërore në raste të tilla.

Nga ky fenomen, nuk gjetën përjashtim as ministrat dhe zyrtarët e lartë të administrates.

 “Këta të fundit dhe një numër i madh nëpunësish të tjerë të lartë të administratës publike, u identifikuan në fushatë elektorale si militantë politikë. Ata veshën bluzat elektorale, bënë deklarata politike dhe morën pjesë në të gjitha aktivitetet/mitingjet elektorale në Durrës, Kamëz dhe Vlorë”, thuhet në këtë raport.

Sulmet ndaj bashkive të djathta dhe bllokimi i fondeve

Sipas monitorimit të ISP-së, qeveria nisi sulme politike me qëllime të qarta elektorale, të cilat kulmuan me shkarkimin e një kryetari bashkie të opozitës dhe ndjekjen penale të tre kryetarëve të tjerë bashkish, të opozitës në 20 ditët e fundit të procesit zgjedhor.

Nga monitorimi i mëvonshëm i ngjarjeve dhe hetimeve që u zhvilluan, nga ISP u arrit në përfundimin se veprimet e qeverisë nuk ishin të motivuara nga rrethanat ligjore të fakteve dhe provave të artikuluara, por thjesht nga nevoja për të sulmuar politikisht figurat përfaqësuesve lokale të opozitës.

Një tjetër manovër e qeverisë shihet edhe vendimi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj për të shkurtuar numrin e punonjësve të Policisë bashkiake.

Lidhur me shfrytëzimin e burimeve financiare shtetërore në fushatën zgjedhore vendore u konstatua se Ministria e Financave vonoi më se dy javë veprimet e buxhetit për shumicën e bashkive të djathta, ndërkohë që kreu të gjitha operacionet financiare që lidheshin me bashkitë e majta gjatë fushatës elektorale.

Kjo pabarazi solli një debat të madh publik dhe reagime që shkaktuan përplasje politike në distancë midis partive politike dhe përfaqësuesve të tyre vendor.

Me anë të këtij veprimi, sipas denoncimeve publike, qeveria kërkonte të ulte performancën e punëve publike në bashkitë respektive, për kapital politik në elektorat.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, publikuar edhe nëpërmjet medias, shpenzimet buxhetore u rriten me 7% në periudhën e 7 mujorit të parë të vitit 2019.

Këto ritme u konstatuan se ishin më të larta se ritmi i rritjes të ardhurave me 3.8 për qind, duke ndikuar në zgjerimin e deficitit buxhetor ne terma vjetorë, nxitur nga disa zëra që u ndikuan nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.

Evidentohet gjithashtu rritja me ritme të larta e shënuar edhe për shpenzimet operative dhe mirëmbajtje.

Për periudhën janar-korrik 2019 ato arritën në 25,4 miliardë lekë, rreth 3,3 miliardë lekë më shumë ose 15% më të larta se një vit më parë.

Këto shpenzimet u nxitën nga rikonstruksionet dhe riparime në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke përqendruar buxhete investimesh publike thjesht për qëllime elektorale.

Nga monitorimi i ISP, u konstatua se qeveria planifikoi dhe krijoi një pabarazi në financime për vitin 2019, duke ulur mbështetjen financiare për bashkitë e udhëhequr nga të djathtët dhe duke favorizuar bashkitë e majta.

Qeveria me një vendim të veçantë të saj, miratoi anulimin e zbatimit të të gjitha procedurave të tenderëve të bashkive gjatë fushatës elektorale për periudhën 1-30 Qershor 2019.

Një veprim i tillë u prit fillimisht me entuziazëm nga skeptikët e shfrytëzimit të burimeve shtetërore në fushatën e zgjedhjeve vendore, ndërkohë një gjë e tillë më pas u konstatua se kjo penalizoi bashkitë e drejtuar nga opozita, ndërsa për bashkitë e drejtuara prej përfaqësuesve të saj, investimet në qytetet si Durrësi dhe Vlora u bënë direkt përmes Këshillit të Ministrave dhe ministrive të linjës.

Përveç kësaj, masa që u propozua ishte e pakuptueshme për aq kohë sa shumica absolute e praktikave të prokurimeve ishin bërë përpara datës 1 qershor dhe se pezullimi gjatë 30 ditëve nuk do të përbënte zgjidhje efektive për ndalimin e abuzimeve në fushatë. Kështu vërehet se qeveria lëvroi grante në Durrës, Vlorë, duke realizuar investime direkte në infrastrukturë, rrugë, në rehabilitim objektesh, si dhe në punësime të përkohshme në institucione shtetërore si Hipoteka apo ALUIZNI.

Me fokus në Vlorë dhe në Durrës, disa prej të anketuarve raportuan se formë abuzimi me burimet shtetërore në fushatë është edhe dhënia selektive dhe elektorale e titujve të pronësisë për subjektet që përfitojnë AMTP-të ose certifikatat e legalizimit dhe ato të pronësisë, premtimi për vende pune ose punësimi part-time para fushatës zgjedhore, inaugurimi i rrugëve ose zgjidhja e problematikave që shqetësojnë komunitetin në mënyrë të menjëhershme, pa deklaruar buxhetin ose pa hapur procedurat e tenderimit apo edhe pagesat e padeklaruara nga punonjësit shtetërore ose firmat private që aktualisht kanë kontrata në implementim e sipër, gjoba të padeklaruara, në formën e dhurimeve vullnetare.

Një prej të anketuarve me përvojë në fushatat elektorale i deklaroi ekipit të ISP se “forma më me ndikim dhe më pak e kontrollueshme e përdorimit të burimeve shtetërore është koha e orarit zyrtar, kur bëhen komunikime të brendshme pune me lista, përdorimi i nëpunësve gjatë orarit zyrtar” apo forma tjetër me ‘këmbim favori” për një tender të fituar ndaj një kontributi në natyrë për financim fushate.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT