‘’E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” apo ‘’Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa’’?

Nga Marjana Koçeku
Sot Shqipëria kujton ditën e Rinisë, një ndër ditët më të lavdishme në historinë tonë që i dha fund tmerrit që mbajti peng shqiptarët për plot 45 vite.
Eshtë aksioni politik më pro – europian, që nga Rilindja Kombëtare e deri më sot. Kjo Lëvizje legjitimoi të drejtën e pluralizmit politik në Shqipëri, ndryshoi rregullat e lojës politike dhe delegjitimoi sistemin komunist. Kjo lëvizje ishte elitare në një mbretëri të mediokritetit; ishte patriotike e pro – europiane brenda kufijve të një shteti antiperëndimor.
Në gjurmët e Rilindjes Kombëtare, kjo lëvizje përcaktoi aksiomën e shqiptarëve të shekullit të ri: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Studentët ja dolën të rrëzonin një prej diktaturave më të egra dhe shembëm një nga regjimet më barbare të kontinentit. Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Studentët protestues të dhjetorit ’90 kishin aspirata dhe ideale të larta kombëtare, të cilat mbeten shkolla më e mirë e demokracisë. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. Po pas 29 vitesh demokraci, a është Shqipëria si gjithë Evropa?
Shqipëria ndodhet më afër se kurrë ëndrrës së shumëpritur të shqiptarëve: Evropës, një ëndërr që akoma vazhdon të mbahet peng në çengelat e demokracisë tonë të cunguar. Pavarësisht pengesave të mëdha që ka rruga , shqiptarët nuk ndalin së vrapuari drejt saj, në rrethana dhe mjete të ndryshme…Realiteti vazhdon të jetë i varfër përballë aq shumë ëndrrave dhe pritshmërive dhe rinia shqiptare akoma lufton për të mos i lënë ato thjesht ëndrra në sirtar..