Kur lobingjet jashtë vendit janë më të rëndësishme se takimet me qytetarët brenda vendit

Shpesh nëpër media qarkullojnë lajme se parti apo politikanë të ndryshëm sponsorizojnë fushata lobimi për veten dhe partitë që përfaqësojnë.

Kjo në fakt ngjan mjaft paradoksale, nisur nga fakti se përse klasa jonë politike kujdeset më shumë për imazhin e saj jashtë vendit sesa brenda vendit. Ato që në gjuhë të moderuar quhen “fushata lobingu” nuk janë gjë tjetër në fakt veçse sponsorizime financiare.

Këto lobingje bëhen zakonisht dhe përgjithësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo sepse Amerika, ndryshe nga pjesa e shteteve evropiane e të zhvilluara perëndimore mund të themi që është i vetmi shtet që ka edhe një kuadër ligjor për të rregulluar fushën e lobingjeve të huaja.

Por ajo që siç thamë përbën më së shumti çudi e paradoks është fakti që politikanët e të gjitha anëve kujdesen më shumë për të rritur imazhin e tyre jashtë vendit, sesa kujdesen për imazhin dhe perceptimin që krijojnë qytetarët karshi tyre brenda vendit.

A thua se edhe votat i “importojnë” nga jashtë dhe jo që duhet të fitojnë mbështetjen e popullit për t’u rritur politikisht.

E në fakt siç edhe e cekëm më sipër partitë kryesore politike në vend dhe shumë politikanë të tjerë, kanë shpenzuar shuma të mëdha parash në kompani apo ndërmjetës lobimi në SHBA.

Kështu, Partia Demokratike dhe kreu i saj Lulzim Basha do të thirrej si i akuzuar nga Prokuroria për mosdeklarimin e 675 mijë dollarëve, që dyshohej se Partia Demokratike kishte shpenzuar për lobim në Amerikë. Madje për këtë arsye u thirrën të pandehur edhe ish Sekretari i Përgjithshëm dhe financieri i Partisë Demokratike.

Edhe pse më vonë Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës do të pushonte çështjen ndaj kreut të PD-së, sërish kundërshtarët politike dhe opinoni aluduan shumë rreth kësaj çështje.

Por në fakt kreu i PD-së nuk do të ishte i vetmi që do të përflitej për lobing në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe kryeministri Rama do të akuzohej nga opozita se ka paguar 100 mijë dollar për shkrepjen e një fotoje me ish presidentin amerikan Barack Obama.

Po ashtu në fushatën e lobimeve jashtë vendit, duhet thënë që nuk është “kursyer” as Lëvizja Socialiste për Integrim e cila në vitin 2016 kishte paguar afro 270 mijë dollarë në një kompani lobingu në Washington.

Një shifër kjo e bërë publike edhe në faqen zyrtare të DASH. Edhe pse kjo shifër duhet thënë që nuk ishte deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një kërkesë kjo ligjore për partitë politike.

Por ka edhe politikanë të tjerë që shpenzojnë e paguajnë shuma parash për të lobuar në shtetin amerikan, kryesisht për të krijuar lidhje me diplomat apo kongresmenë të ndryshëm.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT