Kuvendi shqyrton sot raportet institucioneve të drejtësisë, PD ende pa vendim për pjesëmarrjen

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e radhës plenare, ku deputetët pritet të shqyrtohen një sërë projektligjesh, projektrezolutash dhe raporte vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të drejtësisë.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 16 korrik 2026 dhe njoftimet përkatëse, ndërsa më pas do të paraqitet Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025.

Në rendin e ditës është përfshirë edhe shqyrtimi i projektligjit “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”. Një pjesë e madhe e seancës do t’i kushtohet diskutimit dhe miratimit të projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve kryesore të pavarura dhe të sistemit të drejtësisë për vitin 2025.

Mes tyre janë: Avokati i Popullit; Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ); Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP); Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH); Prokuroria e Përgjithshme; Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK); Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD).

Ndërkohë një orë para seancës Partia Demokratike mblidhet për të vendosur mbi pjesëmarrjen. Nga ana tjetër jashtë Kuvendit është paralajmëruar edhe një protestë, pasi organizatorët kanë bërë thirrje për një tubim para Parlamentit gjatë zhvillimit të seancës plenare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT