Shtyhen negociatat, Wadephul: Vendimi për Shqipërinë, në shtator

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman Johann Wadephul deklaroi se Shqipëria do të marrë një përgjigje në lidhje me integrimin në muajin shtator dhe jo në qershor.
Në një intervistë të dhënë për Deutsche Welle, Wadephul bëri me dije se vendimi është shtyrë për shkak të zgjedhjeve në Parlamentin Europian.
“Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t’i organizojmë konstultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian.”
Nënkryetari grupit parlamentar të CDU/CSU u shpreh se ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse Shqipërisë do t’i çelen negociatat apo jo. Ai tha se ky vendim do të merret vetëm pas raportit të Komisionit të BE.
“Duhet të presim njëherë raportin e Komisionit të BE-së. Unë këtë nuk e njoh. Duhet ta lexoj dhe të shoh situatën në vend. Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet.”
Wadephul u ndal edhe tek kriza politike në Shqipëri ku bëri thirrje për dialog.
“Nuk do të dëshiroja të ndërhyja në raportet personale të PD-së në Shqipëri. Por dëshiroj ta inkurajoj atë të marrë pjesë në proceset politike. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha, janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri. Unë mund të them në drejtim të partisë simotër: mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci”.