Shifrat, 700 mijë turistë të huaj vizituan Shqipërinë 3 muajt e parë të 2019-ës

700 mijë turistë të huaj, hynë në Shqipëri në tremujorin e parë të viti 2019, një rritje e dallueshme krahasuar me vitin e kaluar.

Kështu deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në çelje të panairit të tretë të turizmit në Tiranë.

Loading...

Duke e cilësuar Shqipërinë një destinacion të ri ende të paeksploruar në Mesdhe, Klosi shprehu objektivin për zhvillimin e një turizmi 12-mujor që prodhon punësim, ekonomi e të ardhura për çdo banor.

Sfida jonë e përbashkët, tha Klosi, është ta shndërrojmë turizmin në industri dhe të prodhojmë ekonomi përmes turizmit.

“Tashmë është mëse normale të takosh grupe turistësh në qytetet e Shqipërisë. Në çdo centimetër katrorë të këtij vendi, ne kemi mundësinë të prodhojmë një destinacion turistik. Kjo është mundësia e artë që ka ky vend”, tha Klosi.

Ministri i Turizmit e konsideroi sfidë shndërrimin e burimeve natyrore dhe resurseve që ka vendi në një pasuri të vërtetë ekonomike.

“Kemi dalë nga turizmi klasik i 30-60 ditëve dhe tani po shikojmë se sa shumë mundësi kemi ta shtrijmë turizmin në 12 muaj të vitit. Vetëm në 5 muaj në Shqipëri kanë ardhur 5 hotele me 5 yje”, tha Klosi.

Rritja me 20% e turizmit vitin e kaluar apo rritja mesatare me 35% e strukturave akomoduese në vendin tonë, sipas ministrit, “është edhe një kërkesë më e madhe për të rritur përgjegjësinë karshi vetes”.

“Ne duhet ta mbrojmë këtë destinacion dhe kjo është sfida jonë e vërtetë në momentin që flasim. Duam të ndërtojmë një parajsë turistike në një nga rajonet më agresive dhe më konkurente për turizëm. Duam t’i marrim turizëm bizneseve të vendeve përreth si Italia, Greqia, Kroacia, Turqia e Mali i Zi dhe të futemi në ligën superiore të turizmit”, tha Klosi, ndërsa shtoi se shërbimet mbeten akoma pika jonë më e dobët.

Loading...
Back to top button