SHËNIM: Virusi do ikë, sëmundja terminale e Shqipërisë është ende këtu

Kryeministri Rama shpërndan sot në Facebook një video sentimentale me ton moralizues dhe ekumentik: Jeta është e shkurtër, e përditshmja na ka rrëmbyer duke shtyrë njëri-tjetrin, pleqtë kishin të drejtë e të tjera si këto.
Z.Rama ka të drejtën e tij për të thënë çfarëdo lloj gjëje në Facebook vetëm se ky transformimi psikologjik i një kryetari qeverie që mendon për veten se është një lloj guruje është sinjal se prapë nuk i kemi punët mirë.
Mesazhet e këtij politikani që ka 22 vjet në poste drejtuese, shoqëruar me video të vendeve që ai zgjedh, injorojnë faktin e rëndë dhe akuzues se ai qëndron në zemër të shumë problemeve që i janë krijuar këtij vendi pas ’90-s.
Ky vend është vjedhur dhe plaçkitur dhe kjo lojë me hartime dhe predikime nuk është asgjë më shumë sesa një tjetër përpjekje tinzare për të manipuluar, për të nxjerrë një kryeministër në profilin e një babai që kujdeset për bijtë e tij.
Në fund, siç mund të pritet nga një mendje djallëzore dhe e ngushtë, video mbyllet me monumentin e Skënderbeut dhe flamurin shqiptar, duke e zhbërë mesazhin ekumenik në thirrje patriotike.
Na bëhet apel që të mos harrojmë këtë që po ndodh sepse jeta qenka një rrahje gishtash. E vërtetë. Kjo krizë na vuri në vështirësi, por jo pse nuk po takojmë njëri-tjetrin, por sepse ekonomia vdes pa lëvizjen.
Jeta në këtë vend ka qenë me pak vlerë, është e tillë sot e kësaj dite dhe ajo nuk sugjeron asnjë lloj sfide.
Zoti Rama po bën fushatë elektorale. Me gënjeshtra vetësugjestionuese që duket se e kanë mbërthyer përfundimisht teksa pretendon para pasqyrës se ai është një misionar dhe se ai e vetëm ai mund ta drejtojë këtë vend, – shkruan ResPublica.
Është një përpjekje që synon ta bëjë të menduarin njëdimensional si refleks të kushtëzuar.
Është perceptim i ngushtë që synon të kufizojë horizontin e çdo shqiptari.
Virusi do të ikë, sëmundja jonë është po aty, e njëjtë, vrastare e së ardhmes së vendit.
Dje kishte emrin e paraardhësit të tij në atë karrige, sot ka fytyrën dhe emrin e këtij tjetrit.
Edhe ky, ka rënë keq në dashuri me veten.