Mbi 3.400 gjoba dhe 13 të proceduar në një jave, Policia e Vlorës monitoron me dronë e radarë inteligentë fluksin e udhëtarëve

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut me qëllim menaxhimin e fluksit të lartë të automjeteve dhe parandalimin e aksidenteve përgjatë sezonit turistik veror. Përmes përdorimit të mjediseve teknologjike bashkëkohore — përfshirë dronët, radarët dhe automjetet inteligjente — Policia Rrugore ka vënë në shënjestër shkelësit e përsëritur të Kodit Rrugor.

Përqendrimi kryesor i kontrolleve të zhvilluara gjatë javës së fundit të korrikut ka qenë goditja e shkeljeve me rrezikshmëri të lartë, si drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi apo manovrat e rrezikshme në rrugë.

Sa i përket masave me karakter penal të ndërmarra gjatë periudhës 25–31 korrik 2026, DVP Vlorë njofton:

“Si rezultat i kontrolleve të zhvilluara gjatë periudhës 25–31 korrik 2026, janë arrestuar 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, për veprën penale ‘Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt’.”

Mbi 3.400 masa administrative të vendosura

Përgjatë të njëjtit hark kohor, shërbimet e Policisë Rrugore kanë vendosur gjithsej 3.459 masa administrative për shkelje të ndryshme. Shpejtësia tej normave të lejuara mbetet shkelja më masive e evidentuar nga mjetet inteligjente.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT