Skandali/ Edhe pas vendimit të Ramës, bankat vijojnë të thithin kreditë

Kryeministri Edi Rama dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko firmosën dje një urdhër që detyron bankat të shtyjnë afatin e pagimit të kësteve të kredisë, për bizneset dhe individët, deri në datën 31.05.2020.
Sipas urdhrit, të gjithë ata kredimarrës, të cilët janë përballur me vështirësi ekonomike apo fizike, në këtë periudhë si pasojë e koronavirusit, mund të përfitojnë lehtësira për tre muaj, duke bërë një kërkesë për shtyrje të kredisë.
Por pavarësisht urdhrit të qeverisë dhe BSH, raportohet se Bankat nuk po i binden plotësisht vendimit. Një qytetar, që është edhe kredimarrës, denoncoi për Gazetën SHQIP rastin e tij, ku banka i ka mbajtur këstin mujor.
Siç mund të shihet edhe në foton e llogarisë personale të qytetarit, banka i ka zbritur automatikisht shumën e këstit të kredisë. Edhe pse qytetari thotë se ishte në vështirësi financiare, ai nuk ka patur mundësinë që të kërkojë shtyrje të këstit të kredisë.
Çfarë parashikon urdhri
Sipas urdhrit, Kredimarrësit duhet të komunikojnë me kredidhënësit (banka, institucione financiare jobanka apo me shoqëritë e kursim-kredive) duke u argumentuar këtyre të fundit arsyet mbi nevojat e tyre për shtyrje të pagimit të kësteve. Institucionet e kreditimit do të bëjnë procesimin e çdo kërkese të paraqitur pranë tyre brenda 3 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
Por ka një ngërç në këtë situatë, sidomos për kredimarrësit që duhet të paguajnë këstin këto ditë. Duke qenë se bankat operojnë vetëm pesë ditë në javë, duke patur parasysh edhe fluksin e krijuar dhe radhët në sportele, shumë kërkesa mund të mos euzarohen në kohë, ndërkohë që banka ndalon automatikisht këstet e kredive.
Ja çfarë thuhet në urdhrin e qeverisë
- Të shtyhet afati i pagimit të kësteve të kredisë për bizneset dhe individët deri në datën 31.05.2020 për të gjithë ata kredimarrës, të cilët janë përballur me vështirësi në këtë periudhë si pasojë e COVID-19;
- Kredimarrësit duhet të komunikojnë me kredidhënësit (banka, institucione financiare jobanka apo me shoqëritë e kursim-kredive) duke u argumentuar këtyre të fundit arsyet mbi nevojat e tyre për shtyrje të pagimit të kësteve;
- Institucionet e kreditimit do të bëjnë procesimin e çdo kërkese të paraqitur pranë tyre brenda 3 ditëve nga data e marrjes së kërkesës;
- Me zbatimin e këtij urdhri ngarkohen të gjitha institucionet e kreditimit të licencuara
