Fondet e KE-së/ 11 milionë euro vetëm për agroturizmin në Shqipëri
Në vjeshtë do të hapet thirrja e programit të Komisionit Europian ku financohen 75 milionë euro, nga të cilat 11 milionë euro janë vetëm për agroturizëm, ndërtimin e bujtinave dhe hoteleve turistike në fshat.
Në takimin me prefektët dhe kryetarët e bashkive, Kryeministri Edi Rama kërkoi që të fokusohen te agroturizmi”.
Sipas Kreut të qeverisë “është e papranueshme që ndërkohë që potenciali për agroturizmin është kaq i madh dhe të ardhurat që sjell në njësitë vendore janë kaq të mëdha ne detyrohemi të shtyjmë e të ripërsërisim thirrjen për agroturizëm për të dhënë para gant për sipërmarrësit”.
“Në vend të kemi problemin se granti duhet të jetë më i madh, ne patëm problemin se nuk patëm aplikime nga bashkitë tuaja dhe subjektet në bashkitë tuaja”, shtoi Rama.
Ne jemi në dispozicion pa dallim, tha Rama duke shtuar se “nuk na intereson fare ngjyra politike, por na intereson vetëm të mbështesim aplikimet në agroturizëm”.
Ai kërkoi nga kryebashkët që t’i përcjellin njerëzve edhe faktin se ka një paketë fiskale komplet të re për agroturizmin me vetëm 6% TVSH, 5 % tatim fitimi dhe zero taksë për infrastrukturën. Kjo, sipas tij, “është një mundësi fantastike për emigrantët për të investuar”.
Në çdo bashki të Shqipërisë, sipas tij, “ka potenciale të mëdha për agroturizëm”. “Më tregoni një zonë në Shqipëri që nuk është atraktive për vizitorët e huaj. Agroturizmi është një përgjigje spektakolare si për të luftuar varfërinë edhe për t’i dhënë një rrugëzgjidhje komuniteteve dhe familjeve në fshat, që nuk mund të zhvillojnë dot bujqësi intensive dhe nuk kanë akses të lehtë në treg për shkak të pozitës gjeografike”, tha Rama.
Por sipas tij, “nëse për produktet bujqësore e rëndësishme është dalja e fermerit në treg, për agroturizmin është ardhja e turistit tek fermeri”./ATSH/ZgjohuShqiptar.info