Sali Berisha bëhet “pishman” që urdhëroi deputetët të mos shkojnë në protestën e UÇK-së: Pa heronjtë Kosova s’do ishte sot e lirë
Pas zhvillimit të një proteste që mblodhi mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, Partia Demokratike ka dalë me një deklaratë zyrtare duke mbështetur tubimin për përkrahjen e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, të cilët prej 2020 qëndrojnë të izoluar në dhomat e paraburgimit në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
PD shkruan se kjo forcë politike ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale të Hagës ndërsa shton se gjatë këtij procesi të gjatë gjyqësor nuk është paraqitur asnjë provë që mbështet akuzat e ngritura, përveç se i rrëzojnë ato.
Kujtojmë se Berisha një ditë më parë u shpreh se mbajtja e një proteste të tillë nuk ishte veprimi i duhur që do të ndikonte në lirimin e ish-krerëve të UÇK-së. Ndër të tjera ai ‘urdhëroi’ demokratët të mos merrnin pjesë, por jo të gjithë iu bindën urdhërit të kryedemokratit.
Sot në protestë ishte dhe demokrati Bujar Leskaj si dhe kandidatë të zgjedhjeve të 11 majit nga radhët e opozitës.
Ndër të tjera, vetë Berisha tha se nuk do të merrte pjesë në një vend që do ishte dhe kryeministri Edi Rama, e mbi të gjitha që do të mbante 1 orë fjalim. Kjo e fundit nuk ndodhi, pasi Rama një ditë më parë deklaroi se nuk do të merrte pjesë pasi nuk donte që protesta të politizohej.
Deklaratë e Partisë Demokratike
Partia Demokratike përsëri deklaron se:
1. Lufta çlirimtare e UÇK-së në Kosovë është faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar që nga luftërat e Skënderbeut.
2. Pa sakrificën, gjakun, trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve të lirisë të UÇK-së, Kosova nuk do të ishte kurrë një vend i lirë dhe i pavarur.
3. Lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës është lufta e fundit çlirimtare në Europë që i dha fund pushtimit të gjatë serb të Kosovës, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte aleate besnike e Aleancës së Atlantikut të Veriut në territorin e Kosovës gjatë fushatës së bombardimeve ajrore kundër regjimit të Millosheviçit nga Aleanca, në pranverën e vitit 1999.
Partia Demokratike e Shqipërisë është forca politike që mbështet zbatimin e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo parti ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë dhe ka ndjekur e ndjek me vëmendjen më të madhe punimet e kësaj gjykate në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së dhe të Republikës së Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, etj.
Partia Demokratike konstaton se në këtë proces të zgjatur, disa herë para publikut nuk është paraqitur asnjë fakt apo provë për asnjërën prej akuzave të paraqitura ndaj tyre. E kundërta, janë rrëzuar akuzat monstruoze si ajo e “shkuljes së organeve” dhe tregtimit të tyre nga luftëtarët e UÇK-së në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Nuk është publikuar asnjë fakt apo provë që të provojë urdhra direkt të ish-udhëheqësve të UÇK-së për krime konkrete. Ky proces dëshmoi përfundimisht se ai është i bazuar në dosje të fabrikuara nga Beogradi dhe armiq të tjerë të kombit shqiptar që kërkojnë të barazojnë agresorin, pushtuesin me çlirimtarin.
Për të gjitha këto, Partia Demokratike i bën thirrje trupit gjykues të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë të shpallë sa më parë pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së dhe të Kosovës, në respekt të plotë të parimeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Së fundmi, Partia Demokratike përshëndet protestën paqësore të bashkëluftëtarëve të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe të Kosovës, sikundër dënon çdo përpjekje për manipulim të saj nga albanofobë shqipfolës, armiq të damkosur të Kosovës.