Mjeku nga Durrësi i infektuar me koronavirus, futet në izolim; mjekoi gruan që vdiq nga Covid 19

Njëri prej mjekëve që ishte në grupin e atyre që mjekuan 73 vjeçaren e prekur nga koronavirusi dhe që nuk tregoi për udhëtimin e saj në Itali e fatkeqësisht humbi jetën rezulton pozitiv.
Ai është infektuar nga koronavirus dhe tashmë është futur në izolim. Në njoftimin e saj për shtyp, Ministria e shëndetësisë e konfirmon një lajm të tillë, duke shtuar se pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negative. Por ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës.
Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej.
Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit. Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar.