Miratohet Kodi Penal, zbuten dënimet për shkelësit e karantinës

Në Komisionin e Ligjeve u miratua ditën e sotme Kodi Penal, me dënime më të zbutura  nga ato të propozuara në fillim.

Shumica në mbledhjen e sotme vendosi që të shtojë edhe mundësinë e gjobës për të gjithë ata shtetas të cilët thyejnë karantinën gjatë sëmundjeve infektive.

Në Kodin e ri Penal që do të votohet më datën 16 prill në Parlament, thuhet se kush thyen rregullat e karantinës dënohet nga gjobë, deri në 3 vjet burgim.

Më herët nuk ishte opsioni i gjobës, por vetëm burg deri në 5 vjet.

Gjithashtu u vendos që dënimi për përhapjen e sëmundjeve infektive, nga 10 vjet maksimumi i propozuar zbret në 5 vjet.

Por nëse virusi i shpërndarë dëmton rëndë jetën e njeriut apo shkakton vdekjen e tjetrit, dënimet do të vijojnë të jenë 10 dhe 15 vjet burg.

Ligji i ri:

KREU VIII,

SEKSIONI III

VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE

Neni X

Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhërat ose vendimet e nxjerra nga organet shtetërore gjatë epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore,kur është dhënë më parë masë administrative, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin e detyrueshëm apo shkelja e rregullave të karantinës ose izolimit nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Neni XY

Përhapja e sëmundjeve infektive

Moszbatimi apo kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhrat apo vendimet e organeve shtetërore që kanë të bëjnë me parandalimin apo luftimin e sëmundjeve infektive, kur ka shkaktuar përhapjen e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin te njerëzit, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Kur kjo vepër, ka shkaktuar vdekjen e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT