“Duhet pak korrupsion në familje”, Skandali me ish-drejtorin e SHISH të Beratit, çfarë fshihnin USB-të ilegale? Nga të dhënat e policisë kriminale tek telefonata e të birit (Pjesë nga dosja hetimore)

Një skandal i përmasave të mëdha është zbuluar krejt rastësisht nga autoritetet e Beratit. Bëhet fjalë për Aleksander Shullën, i cili më parë ka mbajtur postin e drejtorit të Shërbimit Informatik të Shtetit (SHISH) në Berat, tashmë i marrë si i pandehur nga Prokuroria e Beratit për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”.

Referuar dosjes hetimore të siguruar nga Top Channel, gjatë kontrollit të rëndësishëm në shtëpinë e Shullës, janë gjetur USB që brenda ruanin dokumente shtetërore apo informacione të klasifikuara të kopjuara nga origjinali që i përkisnin regjistrimeve të vitit 2008.

Dokumentet i përkisnin policisë kriminale të periudhës Tetor 2008 dhe Departamentit të Hetimit Kundër Krimeve të Rënda dhe database për automjetet.

Materialet e klasifikuara si sekret shtetëror është e ndaluar me ligj të kopjohen apo të shtohen. Ato ruhen vetëm në një kopje dhe administrohen në SHISH.

I gjithë ky skandal u zbulua nga një kontroll rutinë  në një lokal në lagjen “30 Vjetori” të qytetit të Beratit, në pronësi të Pandeli Shullës, djali i Aleksander Shullës, i akuzuar për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Policia kishte marrë informacion në rrugë operative se në lokalin e djalit të ish-drejtorit të SHISH të Beratit zhvilloheshin lojëra fati dhe gjatë kontrollit, aty janë konstatuar kompjuter të markave të ndryshme, me lojëra online të ngjashme me ato të Adex Casino.

Por, pas kontrollit të ushtruar në banesë, janë gjetur të gjitha dokumentet sekrete të kopjuara nga ish-drejtori i SHISH si dhe gjithashtu është sekuestruar dhe një sasi municioni luftarak.

Një krehër metalik ngjyrë bronxi me 5 fishekë dhe 3 krehër, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm, janë justifikuar nga Aleksander Shulla si armatim i marrë që nga koha që ishte në detyrë dhe se kishte harruar t’i dorëzonte në SHISH në vitin 2023 kur dhe ka lënë detyrën.

Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë. Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucion. Në këto kushte, municioni nuk ka pasur lidhje me detyrën e tij.

Ndërkohë në dosjen hetimore, janë administruar dhe biseda e përgjime telefonike nga ku është zbuluar një telefonatë e Pandeli Shullës i cili thotë: Duhet pak korrupsion në familje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT