Analizë/ Veprimet e opozitës që mund të sjellin rrëzimin e qeverisë së Ramës

Qëllimi i çdo opozite normale është të jetë në anën e kundërt të pushtetit, dhe madje të bëjë të gjitha lëvizjet që ia toleron demokracia për ta rrëzuar atë kur pushteti bëhet thellësisht anormal.

Në gati tashmë 7 vite në opozitë, partitë opozitare duhet thënë që kanë zhvilluar disa aksione për të kundërshtuar politikat e ndërmarra nga qeveria Rama. Por që për hirë të së vërtetës asnjëra prej tyre nuk ja ka arritur dot që jo vetëm të rrëzojë pushtetin, por as t’i shkundë mirë themelet e qeverisë.Opozita e bashkuar, pjesë e së cilës tashmë që prej 2017-ës u bë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim duke konstatuar situatën në vend shpreheshin se rrëzimi i qeverisë Rama ishte i padiskutueshëm dhe vetëm çështje kohe.

Por tek koha kalonte dhe akuzat e opozitës ndaj mazhorancës shtoheshin thuajse asgjë nuk ndryshoi, veç shpeshtimit të daljeve në konferenca e televizioneve të përfaqësuesve të opozitës.Djegia e mandateve dhe dalja në rrugë për të protestuar duket sikur e “kanalizuan” tashmë qëllimin e opozitës për të shembur qeverinë.Por në fakt mungesa e finalizimit të aksioneve opozitare, duhet thënë që nuk ja prishi sa duhej e sa pritej qetësinë Ramës, por më shumë se kaq u pa vetëm si mbushje e axhendës së opozitës për të justifikuar kohën.

Veç dorëzimit të mandateve opozita e bashkuar nuk mori pjesë as në zgjedhjet vendore të qershorit, duke bërë tashmë kështu përkohësisht dalje thuajse nga çdo insitucion ku kishin marrë pjesë deri dje.E kështu dukej se opozita nuk kishte më asgjë për të humbur, dhe të gjithë prisnin aksione të forta për të rrëzuar qeverinë. Premtimi i fortë i Bashës për të mos lejuar zgjedhje pa opozitën, ngjau si një kërcënim për luftë ndaj Ramës.Por në fakt kjo “luftë” u shua akoma pa nisur, pasi Basha për ata që e kuptuan  ndryshoi thuajse tërësisht artikulimin e tij mbi këtë temë.Nga kërcënimi për të mos lejuar zgjedhje farsë siç thoshte ai, kaloi në kokëuljen se opozita nuk do të merrte pjesë në këto zgjedhje. Pra dy qëndrime krejt të ndryshme në vetëm pak kohë.Tashmë koha vërtetoi se opozita nuk ja doli dot që të rrëzonte qeverinë e Ramës, mbase pikërisht për arsyet e parashtruara më sipër. Ndaj edhe ajo që i duhet tani është ndryshimi i strategjisë, nëse më parë e ka pasur një të tillë.Opozitës së bashkuar i duhet sot më shumë se kurrë që të bindë shqiptarët, jo për faktin se qeverisja është e keqe, por se alternative opozitare është më e mirë. Dhe kjo bindje duhet të kalojë modeomos në rrugën e rizgjimit, të alternativës së re dhe të programit.Pra, nëse opozita e ka seriozisht për të shembur qeverinë e Ramës ajo duhet të shpalosë që sot një program të ri ekonomik për vendin, të ndahet katërcipërisht nga e shkauara e saj jo fort e mirë duhet thënë, dhe të tentojë përditë në çdo zonë që të frymëzojë njerëzit.Pra nuk mund të mjaftojë kurrsesi vetëm denoncimi apo artikulimi publik në selitë e partive. Këto vetëm sa e zgjasin akoma më shumë jetëgjatësinë e qeverisë në pushtet./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT