“Grekët na i provokonin ushtarët e kufirit me femra”
- Haki Liçaj, ish-shefi i Shtabit të Forcave të Kufirit rrëfen incidentet me ushtarët jugosllavë dhe ata grekë
- Krijimi i batalioneve të “ndërhyrjes së shpejtë” që morën në mbrojtje njerëzit me “pardesy të bardha”
Leonard Veizi
-Jo vetëm në kushtet e një diktature ekstreme, por dhe në një demokraci solide apo të brishtë, kufiri ruhet nga kontrabandistët dhe keqbërës të skeduar në dosjet e policisë. Ndërsa përpara viteve ‘90, përveç kësaj, kishte dhe një motiv politik që e mbante nën kontroll të rreptë të gjithë kufirin shtetëror shqiptar.
Duke rrëfyer jetën e tij prej ushtaraku karriere Haki Liçaj, tanimë një kolonel në pension, thotë se për fat të mirë apo të keq, rruga ka qenë shumë e vështirë. Duket se pikërisht kjo e ka bërë ta konsolidojë më shumë emrin e tij si ushtarak. E ka filluar në kufi te piramida “13” në Jezercë si oficer i thjeshtë dhe i sapo dalë nga bankat e shkollës. Por hapat e mëtejshme kanë qenë të sigurta e pa kapërcime ekstreme për t’u ngjitur drejt majës së hierarkisë. Gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, Liçaj rrëfen problemet me të cilat përballeshin ushtarakët shqiptarë në kufirin tokësor me dy fqinjët e para viteve ’90, grekët dhe jugosllavët.
Si ndryshonte jeta ushtarake nga kazerma në kufi?
Piramida “13” në Jezercë ishte ndërtuar në një vend me maja të larta e terren të vështirë ku në dimër vazhdimisht binin rrufe. Kufiri ruhej në një situatë shumë të vështirë e me sakrifica. Na janë vrarë 7 vetë atje, ndërsa posta në vitin 1966, kur ra tërmeti i madh në Dibër, u shkatërrua tërësisht. Jetonim në kushte shumë të vështira dhe në një të ftohtë acar.
Cilat ishin marrëdhëniet me jugosllavët në atë periudhë?
Me jugosllavët marrëdhëniet kanë qenë shumë të këqija. Për herë të parë me ta kam kontaktuar në piramidën “12”. Ata kishin një veti, po të dilnin ushtarët tanë tek piramida, menjëherë dilnin edhe ushtarët apo oficerët e tyre dhe rrinin përballë për të na bërë karshillëk. Historiku tregon se jugosllavët kanë vepruar gjithmonë ndaj nesh duke na vrarë njerëz, ushtarë dhe oficerë. Parimi ynë ishte që kur ushtarët, oficerët apo dhe civilët nga pala jugosllave kalonin kufirin tonë, ne i ndalonim dhe i kthenim mbrapa duke u thënë se kishin hyrë në tokën shqiptare. E kundërta ndodhte me ta. Po të qëllonte që një person nga pala jonë gabimisht të futej në tokën e tyre, ata menjëherë e kapnin dhe nuk e kthenin, ose e kthenin pas tentativash shumë të mundimshme.
A nuk ndodhte e njëjta gjë në kufirin shtetëror me Greqinë?
Pikërisht. E njëjta gjë na ndodhte edhe në kufirin me Greqinë. Këtë gjë e njoh po aq mirë sa dhe problemet me kufirin jugosllav sepse për një periudhë kohe kam qenë komandant kufiri në Korçë. Kemi pasur plot raste që pala greke qëllonte me armë mbi ushtarët tanë. Grekët vepronin edhe në mënyra të tjera. Ata provokonin ushtarakët tanë me femra të bukura dhe me rroba apo materiale të cilat nuk ekzistonin në Shqipëri dhe mundoheshin t’i komprometonin me qëllim që ata të arratiseshin. Megjithatë për sa kohë unë kam qenë drejtues, nuk kemi pasur asnjë rast të ndonjë ushtari që të linte vendrojën dhe të arratisej.
Si zgjidheshin ushtarët e kufirit?
Ata duhet të kishin biografi të pastër. Gjithçka kalonte në filtra. Duhet theksuar se meqenëse kufiri ishte një front i vështirë, djemtë e titullarëve apo të nëpunësve të rëndësishëm të shtetit i shmangeshin këtij shërbimi. Megjithatë përpara se një ushtar të caktohej në kufi, i shikohej me imtësi përbërja e tij moralo-politike.
Në çfarë kushtesh një ushtar kufiri duhet të qëllonte mbi një njeri?
Në kufi ka pasur disa rregulla, që si gjithmonë marrin interpretime të ndryshme nga individë të ndryshëm. Por duhet thënë se rregullat tona ishin më të qarta dhe më të prera se të çdo shteti tjetër. Ne nuk mund të vrisnim një njeri nëse nuk zbatonim atë që kishte përcaktuar rregullorja. I thoshim një herë “ndal”, i thoshim “ndal” edhe për herë të dytë, bënim një qitje paralajmëruese mbi kokë, madje këtë paralajmërim e bënim dhe një herë tjetër nëse e shihnim të arsyeshme dhe e fundit ishte paralizimi nga këmbët. Vrasja ishte e fundit fare, vetëm nëse rrezikohej jeta jonë. Ne kemi shumë raste kur kufitarët tanë janë vrarë sepse kanë zbatuar rregulloren. Më kujtohet, në Arrëz, na u vra një ushtar nga Fieri prej një personi që ishte arratisur nga burgu dhe kishte rrëmbyer një armë. Ushtari zbatoi rregullin e parë duke e paralajmëruar, por tjetri e qëlloi dhe e vrau.
Çfarë bilanci në jetë njerëzore ka pasur mbrojtja e kufirit?
Po të shohësh historikun, më shumë janë vrarë ushtarë në shërbim se sa njerëz që kanë tentuar të arratisen apo të futen nga jashtë brenda kufirit tonë. Për të kapur janë kapur shumë, por për të vrarë janë vrarë vetëm ata që kanë qenë të armatosur e bënin rezistencë. Numri i të vrarëve në krye të detyrës shtohet edhe me kufitarët e postës së Vidohovës në vitin 1949 të cilët rezistuan 24 orë ndaj sulmit frontal të njësive të ushtrisë greke. Të paktën 36 kufitarë u bënë dëshmorë në këtë rezistencë.
Si u vendosën piramidat me Greqinë
Piramida kishte në të gjithë kufirin shqiptar, por shumica e tyre ishin prishur. Kufiri kishte mbetur vetëm në hartë, ashtu i përcaktuar që në vitin 1913. Por Haki Liçaj thotë se prej kohësh ishte vënë re që ndërmjetëset mes piramidave ishin sheshuar, e kushdo mund të kalonte nga njëra anë në tjetrën pa e ditur se ku ndaheshin sinorët. “Kufiri ishte vetëm në hartë, por në tokë ishin hapur probleme. Disa i kishte rrënuar erozioni, por dhe vetë grekët kishin prishur shumë prej tyre. Kështu u ngrit një komision dypalësh. Unë kam pasur rastin të jem dhe kryetar i Komisionit të Kufirit. Që në vitin 1987, kryetar i komisionit për Kufirin me Greqinë ishte Enver Pata dhe më pas u emërova unë. Patëm shumë probleme sepse grekët na zvarritnin. Më në fund ata pranuan që të përcaktohej kufiri tokësor ashtu si në hartë dhe të vendoseshin piramidat dhe ndërmjetëset. U krijuan dy grupe të mëdha pune me topografë. Dua të sqaroj se po flasim vetëm për kufirin tokësor, jo atë detar”- sqaron gjatë rrëfimit të tij kolonel Haki Liçaj.
Kufiri me Jugosllavinë
Pak kohë më pas Haki Liçaj emërohet kryetar i Komisionit për Kufirin, për gjithë Shqipërinë, duke futur këtu edhe atë detar. Ai thotë: “Edhe pse ishte në vartësinë tonë, kufirin detar gjithmonë ia linim marinës pasi ishte më kompetente në matje.Gjatë rivendosjes së kufirit me jugosllavët patëm probleme të shumta. Pretendimet jugosllave qëndronin në faktin se kur ndryshonte shtrati i lumit, ndryshonte edhe vija e kufirit si në rastin e lumit të Vermoshit. Por kjo ishte e papranueshme nga ana jonë. Pas viteve ’80 duhet pasur parasysh se kufiri ishte shumë i tensionuar, si jashtë ashtu dhe brenda, por me shumë kishim probleme nga brenda sepse kishte shumë raste kur njerëzit tentonin të iknin. Megjithatë në të gjitha rastet orientimi ka qenë: “të kapen të gjallë”. E fundit fare ishte vrasja e personit që tentonte të arratisej” – thotë Liçaj.
Grekët na vrisnin pa paralajmërim
Duke kujtuar një detaj nga përplasjet mes palëve në kufi, kolonel Liçaj rrëfen: “Më kujtohet një rast kur unë isha kryetar Komisioni për Kufirin dhe patëm një incident me grekët, të cilët na vranë një civil që zbriste në Kakavijë. Ishte një djalë i ri nja 16 vjeç dhe sapo kaloi kufirin grekët pa e paralajmëruar fare e qëlluan dhe e vranë. Në atë kohë takohem me një diplomat të ambasadës greke me emrin Leonidha dhe i them: “Si na e vratë djalin kur ju jeni shtet demokratik dhe na akuzoni ne për diktaturë?”. Pastaj i shpjegova se si ishte rregullorja e kufirit shqiptar që të paralajmëronte, bënte qitje paralajmëruese e pastaj qitje paralizuese. I theksova që me rregullore gratë dhe fëmijët ushtria i ka të ndaluar t’i vrasë. Por nga ana e tij Leonidha më shpjegoi: “E kam lexuar ligjin tuaj dhe ai është demokratik, por ligji ynë është ndryshe. Ne të vrasim po shkele kufirin tonë”.
Në të vërtetë unë mendoja se vrasjet i bënin njerëz ekstremistë, por nuk e imagjinoja dot që ushtarët grekë të kufirit e kishin me ligj që të qëllonin pa paralajmërim”
Në drejtimin e Ndërhyrjes së Shpejtë
Term i ri dhe organizim i ri njëkohësisht. Bashkë me proceset për demokratizimin e vendit, u krijua edhe një strukturë e re ushtarake e cila shumë shpejt do të kalonte në vartësi të Ministrisë së Brendshme, Ndërhyrja e Shpejtë. Komandanti i parë i kësaj force do të emërohej Haki Liçaj, si një ushtarak me përvojë, i cili gjithashtu ishte në vartësi të ministrit të Brendshëm. Situata ishte e acaruar dhe priteshin të tjera zhvillime. “Në ndërhyrjen e shpejtë u inkuadruan të paktën 5 mijë forca. Të gjitha batalionet që kishte ushtria në vijën e parë u kthyen në batalione të ndërhyrjes së shpejtë. Nga këto kishte në të gjithë Shqipërinë. Dy batalione i kishte Shkodra, tre Durrësi, dy Elbasani, katër Tirana ku më pas u krijua një brigadë. Batalione të ndërhyrjes së shpejtë kishte edhe Vlora, Gjirokastra e Korça. Qëllimi i krijimit të këtyre batalioneve ishte që ndërrimi i sistemeve të bëhej duke shmangur luftën civile dhe pa dhunë. Pra batalionet e ndërhyrjes së shpejtë duhet të neutralizonin dhunën. Ne përballonim turmat jo të armatosur, por me mburoja, skafandra e shkopinj gome. Në të vërtetë nuk është se doja të shkoja te Ndërhyrja e Shpejtë. Kur u emërova komandant, unë e njihja detyrën sepse i kisha bërë në akademi, por nuk kisha përvojë. Ishte e vështirë në fillim sepse më duhej të mendoja se si duheshin vënë në veprim dhe mbajtur nën kontroll. Atëherë mora materiale të disa vendeve, por më shumë u mbështeta te përvoja skandinave që ishte goxha e mirë. Iu referova shumë edhe xhandarmërisë italiane. Mbështetur në këto përvoja hartuam dhe ligjin përkatës për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, i cili u miratua pas shumë përpjekjesh në Parlament dhe pas kësaj hartuam rregulloren” – rrëfen Haki Liçaj.
Kur ruanim njerëzit me “pardesy të bardha”
Ndërhyrja e Shpejtë kishte marrë porosi të qartë nga partia në pushtet me në krye Ramiz Alinë. “Duhet të mbroheshin institucione, depot, magazinat, portet, aeroportet e mallrat që vinin. Të mos harrojmë se në atë kohë vendi në të gjitha drejtimet ishte në flakë. Sulmoheshin institucionet, digjeshin magazina etj. Përveç kësaj na u dha një porosi tjetër: “Të ruhej jeta e njerëzve me pardesy të bardha”. Por për fat, më jetën e tyre nuk patëm probleme pasi asnjëri prej tyre nuk u kërcënua. Kur pushtetin e mori Partia Demokratike, edhe pse u lavdërova për punë të mirë, gjithsesi isha nga të parët në listë që u lirova nga detyra. Në vitin 1997 u thirra sërish në detyrë për t’u emëruar si komandant i Gardës së Republikës. Në fakt kisha dëshirë të merrja postin e Drejtorit të Kufirit, por kjo u pa me e drejtë nga eprorët. Për të thënë të vërtetën, Gardën e gjeta shumë heterogjene, por mbi të gjitha shumë partiake. Me mbështetjen e partisë kishin ardhur njerëz të pa specializuar. Natyrisht që më duhej të bëja spastrime edhe pse u tregova i kursyer”- rrëfen kolonel Liçaj
Nesër do të lexoni
-Garda e Republikës, si e mënjanoi luftën civile dhe mbrojti institucionet në 13-14 shtator ’98
-Ku u “zhduk” kryeministri Nano ditën që turma e armatosur sulmoi selinë e qeverisë
-Plagosja e më shumë se 30 ushtarëve të Gardës dhe e vet kreut të saj, kolonelit Haki Liçaj
Jetëshkrimi i shkurtër
Haki Liçaj u lind në 10 gusht të vitit 1944, në rrethin e Vlorës. Pasi mbaroi shkollën ushtarake “Skënderbej”, vazhdoi studimet e larta në shkollën e Ministrisë së Brendshme. Më pas, studioi në “Akademinë Ushtarake”. Diplomohet në degën e “Jurisprudencës”, si dhe mbaron kursin e lartë të Filozofisë, duke mbrojtur edhe një gjuhë të huaj. Ka mbajtur postin e shefit të Sektorit të Emergjencave në Ministrinë e Rendit Publik, me gradën “kryekomisar”. Ai ka punuar në shumë vende të rëndësishme, por kujton se ka punuar si komandant i Kufirit të Korçës, shef i Shtabit të Kufirit të Republikës, komandant dhe më pas drejtor i Ndërhyrjes së Shpejtë, kryetar dege në Gardën e Republikës dhe në ’97 emërohet komandant i Gardës me gradën e kolonelit.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.