VIDEO / Policia kontrollon nivelin e zhurmave në ish-Bllok, ja si rezultuan matjet

Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet për ndotjen akustike në zonën e ish-Bllokut, në kuadër të masave për garantimin e rendit publik dhe qetësisë për banorët dhe vizitorët.

Sipas Policisë, krahas fushatës sensibilizuese, janë zhvilluar takime informuese me administratorë subjektesh dhe persona fizikë, aktiviteti i të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika, me qëllim ndërgjegjësimin për respektimin e kufijve ligjorë.

Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, kanë kryer kontrolle të vazhdueshme në terren, bazuar në hartëzimin e zonave me ndotje akustike. Gjatë kontrolleve janë testuar me matës të zhurmës ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, për të verifikuar zbatimin e nivelit kufi të lejuar, sipas legjislacionit në fuqi.

Policia bën me dije se matjet e kryera, të realizuara sipas procedurave standarde, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Njëkohësisht, janë kontrolluar edhe oraret e lejuara për muzikën në ambiente të hapura në zonat e banuara, të cilat sipas rregullave janë nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Tiranës thekson se do të vijojë monitorimin dhe kontrollet në zonat me aktivitet të lartë, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT