Kreditë nën monitorim / Historiku financiar i qytetarëve dhe bizneseve në një sistem të ri

Shqipëria pritet të krijojë për herë të parë një Byro Krediti, e cila do të mbledhë dhe administrojë informacion mbi historikun e kredive dhe sjelljen në pagesa të individëve dhe bizneseve.

Synimi është t’u japë bankave dhe institucioneve financiare një pamje më të plotë të aftësisë paguese të klientëve dhe t’i ndihmojë të vlerësojnë më mirë rrezikun para dhënies së një kredie.

Sipas ekonomistit Ergis Sefa, ky zhvillim pritet të përmirësojë sjelljen e individëve dhe bizneseve ndaj institucioneve financiare.

“Sa më i mirë të jetë niveli yt i kredisë, aq më pak burokraci duhet të kesh dhe aq më pak dokumente duhet të të kërkohen. Historia e mirë e kredisë do të zëvendësojë kolateralin, sepse do të rrisë besueshmërinë që ka klienti kundrejt institucioneve financiare. Sa më histori të mirë dhe sa më i rregullt të kesh qenë më përpara, aq më e lehtë, nga ana administrative, por edhe nga ana financiare, do të jetë dhe aq më shumë mund të përfitosh”, tha eksperti.

Përfitues do të jenë edhe sipërmarrjet, veçanërisht bizneset e vogla, të cilat mund të kenë më shumë mundësi për të dëshmuar historikun e tyre financiar.

“Pa dyshim, për bizneset e vogla do të jetë më i thjeshtë aksesi në financë dhe, në momentin që kanë akses më të kollajshëm në financë, kjo i ndihmon shumë ato për punën e tyre dhe për t’u zhvilluar më tej”, tha ai.

Agjencitë e kreditit do të mund t’i mbajnë të dhënat e bizneseve për një periudhë deri në pesë vjet.

“Nëse bëhet fjalë për biznese të vogla, unë do të sugjeroja të kishim një historik deri në tre vjet, sidomos për ato që kanë pasur një historik jo pozitiv për shkak të kushteve dhe rrethanave në të cilat ndodhet tregu shqiptar. Më pas, gradualisht, nga tre vjet të shkojë drejt katër, pesë apo ndoshta edhe pak më shumë”, nënvizoi ai.

Sa i takon rrezikut të ekspozimit të të dhënave personale, Sefa thotë se, nëse zbatohen me përpikëri politikat europiane për mbrojtjen e të dhënave, menaxhimi i te dhënave personale të qytetarëve nuk duhet të paraqesë rrezik.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT