Berisha: Rama të largohet nga pushteti, dënoj ofendimet e tij ndaj protestuesve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me projektin e parashikuar për t’u zhvilluar në zonën e Zvërnecit dhe protestat qytetare kundër këtij investimi.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha dënoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve, duke i cilësuar si të papranueshme etiketimet që, sipas tij, i krahasojnë ata me nazistë apo pasues të Hitlerit.

“Dënojmë me forcën më të madhe etiketimet që u bën Edi Rama protestuesve duke shfrytëzuar dhe keqinterpretuar thirrjet e tyre.  T’i quash nazistë ata apo pasues të Hitlerit, si pasues të Hitlerit sepse thonë ‘Shqipëria e Shqiptarëve’, për t’i rikujtuar një slogan të Mit’hat Frashërit ‘Shqipëria e shqiptarëve’, është një armiqësi e egër, e paimagjinueshme. Mit’hat Frashëri ishte një burrë mendjendritur, një atdhetar. Por cilido që njeh Mit’hat Frashërin dhe përpjekjet e tij për këtë vend, ai nuk ka patur atë si motiv ksenofobie, as dhe paralelizëm me thirrjen e Hitlerit për gjermanët që ky vend është vetëm i juaji”, tha Berisha.

Ai shprehu mbështetjen e opozitës për kundërshtimin e projektit dhe njëkohësisht ngriti akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar Ramën si përgjegjës për dëmtimin e demokracisë, pluralizmit politik dhe procesit zgjedhor në vend.

“Ne mbështesim largimin e Edi Ramës si një armik i egër i kombit shqiptar, i demokracisë, integrimit dhe të ardhmes së Shqipërisë.  Partia Demokratike njeh Edi Ramën si një narko-diktator i cili zgjodhi si rrugë për të qëndruar në pushtet shtypjen e pluralizmit politik, arrestimin e liderit të opozitës në vitin elektoral, transformimin e zgjedhjeve në farsë zgjedhore, bashkëpunimin e tij të ngushtë me kartelin e drogës, me krimin, plaçkitjen e pamëshirë të pasurive të shqiptarëve, mbrojtjen e verbër dhe shkelmimin që i bëri kërkesave të prokurorisë speciale për arrestimin e hajdutes më të madhe në historinë e Shqipërisë pas Edi Ramës që është Belinda Balluku”, shtoi kreu i opozitës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT