Ahmeti: BE, kryeqyteti i bashkimit shqiptar

Tiranë, 27 tetor – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka marrë sot pjesë në konventën zgjedhore të Lidhjes Socialiste për Integrim në Tiranë.

Në fjalën e rastit përpara anëtarëve dhe delegatëve partiakë të LSI-së të drejtuar nga Ilir Meta, Ahmeti i ka përcjellë këtij të fundit përgëzimet për mandatin e ri të fituar vetëm para pak ditësh përmes një procesi zgjedhor brendapartiak.

“Ne i gëzohemi faktit që Lëvizja Socialiste për Integrim është prej vitesh me një status gjithnjë e më të konsoliduar në veprimin politik në Shqipëri. Ne gëzohemi për këtë rritje, sepse LSI është një faktor politik që e ka shëndoshur gjendjen politike brenda vendit dhe ka ndikuar për mirë edhe në jetën e shqiptarëve në Maqedoni e më gjerë, kudo ku ata jetojnë në trojet e tyre amtare”, ka theksuar Ahmeti.

Duke iu referuar bashkëpunimit përgjatë njohjes së tij personale me kreun e LSI-së, Ahmeti i ka quajtur drejtuesit e kësaj partie si të shquar për guxim në periudhat e dikurshme plot vështirësira.

“Unë personalisht kam një privilegj që më bën krenar: jam njohur me lidershipin e partisë suaj në kohëra shumë të vështira, atëherë kur ende mendohej se Jugosllavia do të ishte e përjetshme, atëherë kur vetëm një pakicë luftonte për liri, atëherë kur të mbështesje lëvizjen çlirimtare do të thoshte të rrezikoje jo vetëm politikisht, por edhe individualisht. Ilir Meta, Luan Rama dhe shumë të tjerë, protagonistë të sotëm të LSI, kanë qenë nga ata politikanë të guximshëm që ishin me këtë lëvizje kur ende rruga e rezistencës cilësohej terroriste, ultramarksiste dhe fondamentaliste. Këto lidhje kohësh të vështira, ky solidaritet në një moment prove, i bën marrëdhëniet tona jo vetëm politikisht të qëndrueshme, por edhe në pikëpamjen njerëzore të sprovuara”, ka thënë më tej kreu i BDI-së.

Ahmeti ka thënë më tej se partia që drejton ai, vlerëson LSI-në si një faktor politik me përgjegjësi ekuilibruese në jetën politike të Shqipërisë, e cila, sipas tij, ka mundësuar mbrojtjen e Shqipërisë prej krizave eventuale të institucionalizimit të pushteteve.

“Kjo është shumë e rëndësishme edhe për ne, sepse një Shqipëri e qëndrueshme është inkurajuese për të gjithë shqiptarët kudo në Ballkan. Ne u jemi mirënjohës atyre partive politike që kanë zbatuar marrëveshjen, kompromisin, dialogun, për të mos lejuar situata të keqqeverisjes në Shqipëri. Sepse çdo hap i qortueshëm në Shqipëri, çdo shenjë e keqqeverisjes, çdo cenim i kohezionit social, ka ndikim të drejtpërdrejtë negativ edhe në jetën tonë”, ka deklaruar Ahmeti.

Në përfundim të fjalës së tij, Ahmeti ka shprehur përcaktimin e tij dhe të partisë për të bashkëpunuar me të gjitha partitë që punojnë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ndërsa ka përfunduar me një mesazh të përbashkët për të dyja subjektet.

“Le të shohim bashkërisht përpara, si dy parti për integrimin, si dy parti që punojnë për një bashkim shqiptar me kryeqytet të përbashkët Brukselin Evropian”, ka theksuar Ahmeti.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT