The Guardian ekzaminon ndjesinë pro-BE të shqiptarëve e maqedonasve: Ne po dalim, pse ata duan të hyjnë?

Derisa Britania e Madhe përgatitet për Brexit [që ta lëshojë BE-në] të premten, The Guardian ka vizituar vendet që me dëshpërim kërkojnë të hyjnë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Unë ndonjëherë mendoj që ata të cilët janë brenda Bashkimit Evropian nuk e kuptojnë se sa ftohtë është jashtë tij,” tha Zoran Zaev, kryeministri maqedon që në prill do të përballet me zgjedhjet. Për Zaevin, duke parë sagën e Brexitit ka qenë një përvojë habitëse derisa ai mundohet që ta çojë vendin e tij në drejtimin e përkundërt, drejt hyrjes brenda saj.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor iu është dhënë premtimi për BE për më shumë se një dekadë, por pritjet për një fillim formal të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë u thyen në fund të vitit të kaluar kur presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se për shkak të Brexitit dhe sfidave tjera, blloku kishte rishqyrtuar qasjen sa i përket zgjerimit
Kjo ishte tepër poshtëruese për Zaefin, si një prej nënshkruesve të marrëveshjes së Prespës, në të cilën vendi i tij ndryshonte emrin duke i dhënë fund mosmarrëveshjes dekadëshe me Greqinë e që supozohej se do t’i shtronte udhën për fillimin e bisedimeve për hyrjen në BE. Ai tha se dështimi i BE-së për të përmbushur premtimin ishte “një gabim historik”.
I irrituar nga kjo gjë, ai bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme për muajin prill.
“Marr përgjegjësinë sepse iu kam premtuar qytetarëve të mi dhe parlamentarëve të mi se kur ta ndryshojmë emrin do të kemi diçka në këmbim. Por kjo nuk ndodhi,” tha Zaevi.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bashkë në qëllimin e tyre për zgjerim, dhe madje edhe kur të ofrohet drita e gjelbër, hyrja në të mund të jetë shumë vite larg. Serbia e Mali i Zi janë edhe më përpara në këtë drejtim, ndërsa Kosova dhe Bosnia janë më pak të avancuara.
Rama i kishte thënë Guardianit vitin e kaluar se hyrja në bllok do të nënkuptonte “përfundimisht mundësinë që ta vendosnim veten tonë në një zonë sigurie nga mallkimi i historisë”. Ky vend e kishte një prej diktaturave më brutale komuniste në botë.
Shpëtim Avdyli, që e udhëheq një biznes eksporti të perimeve nga qyteti i Lushnjes tha: “Megjithëse kemi marrëveshje për eksportin, dhe jam i bindur se cilësia e produkteve tona është e mirë, ata kërkojnë çdo lloj arsyetimi që të mos i lënë produktet e mia të futen në tregjet e tyre. Nuk i duan produktet që i rrisin edhe vetë, edhe pse mund të jenë më cilësore.”