Kaosi me e-Albania, Rama kërkon falje dhe gjen fajtorin: Policia do t’ju tolerojë

Kryeministri Edi Rama ka pranuar ngërçin e krijuar me portalin e-Albania, ku qindra qytetarët nuk patën akses për të marrë leje-dalje për nevojat e tyre familjare.
Kreu i qeverisë ua hodhi fajin kompanive celulare, ndërsa i kërkoi policisë që të tolerojë qytetarët edhe nesër, duke mos aplikuar gjoba.
“Ju kërkoj ndjesë atyre që kanë patur probleme me e-Albania. Ka qenë një problem i lidhur me kompanitë celulare. Policia e shtetit është e vetëdijshme që të jetë sa më e kuptueshme dhe të mos aplikoje direkt sanksione, duke patur parasysh se masat po zbatohen edhe pse ka disa të pabindur”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se qeveria ka komunikuar me 16 172 qytetarë që kanë kërkuan ndihmë.
“Kemi komunikuar me mbi 16172 persona. Nëse kemi çuar sinjalin dhe nuk jeni telefonuar pak durim. Çdo shqetësim i juaji do të zgjidhet. Kam mbajtur shënim rastet që iu mbani asistencë“, tha Rama.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2019 portali (që sot shfaq probleme) u ka kushtuar shqiptarëve plot 642 milionë lekë (të vjetra), ndërsa për vitin 2020 buxheti i parashikuar nga qeveria është 381 milionë lekë(të vjetra).
Pra, e thënë ndryshe ky portal u ka kushtuar plot 1 miliardë lekë shqiptarëve dhe nuk ka kapacitete për të përballuar fluksin e klikimeve.