Tre shqiptarë të Plavës bien në minat e serbëve
| Foto e Ilustruar |
Tre persona kanë mbetur të plagosur në kufirin Shqipëri-Mali Zi, në zonën e Tropojës. Minat e mbjella nga ushtria serbe në brendësi të territorit të Shqipërisë në vitin 1999 vazhdojnë të shkaktojnë ende viktima në mesin e shqiptareve në të dyja anët e kufirit, ku kësaj radhe viktima kanë qenë tre shqiptarë të Malit të Zi, njofton koha.
Smajl Prelvuka, 37 vjeç, dhe Arben Muja, 25 vjeç, dhe një tjetër person ende i paidentifikuar janë personat e plagosur paraditen e së dielës. Ngjarja ka ndodhur në rajonin e piramidës 23, në bjeshkët e Çeremit, midis këtij rajoni dhe Plavës e Gucisë.
Tre shtetasit e Malit të Zi me kombësi shqiptare kanë qenë duke kaluar me automjetin e tyre në një rrugë automobilistike që lidh bjeshkët e Plavës me ato të Çeremit, kur sapo automjeti ka hyrë në territorin e Shqipërisë ka rënë në një minë, ku si pasojë e shpërthimit të saj janë plagosur tre personat që gjendeshin në automjet, njeri prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Pas këtij incidenti, barinjtë që ndodheshin në bjeshkët e Çeremit kanë njoftuar policinë lokale, e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes bashkë me një autoambulancë të Spitalit të Bajram Currit.
Policia ka bërë të mundur transportimin e të plagosurve për në Spitalin e Bajram Currit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa njeri prej tyre, që ishte në gjendje të rëndë, është transportuar me helikopter për në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Mësohet se të plagosurit ishin nisur të vizitonin të afërmit e tyre në Tropojë, ndërsa dyshohet se mina ku ka ndeshur makina ka mbetur që prej luftës në Kosovë në vitin 1999.
Incidenti me minat e vendosura nga ushtria serbe në kufirin Shqipëri-Mali i Zi ka ndodhur në një zonë të certifikuar si të pastruar nga minat.
Ndërkohë, autoritetet e ushtrisë serbe nuk kanë vënë në dispozicion të autoriteteve shqiptare asnjë lloj materiali apo harte që ka të bëjë me vendosjen e minave në territorin e Shqipërisë.
Sipas zyrtarëve të Malit të Zi, asnjë përfaqësues i shtetit apo ushtrisë serbe nuk ka deklaruar asnjëherë dhe në asnjë vend se kanë vendosur mina në territorin e Shqipërisë.
Ndërkohë që në bazë të listave që ka AMAE dhe nga IRC-ja, që nga 25 marsi i vitit 1999 dhe deri tani në Shqipëri janë regjistruar 273 persona të plagosur e të vrarë nga minat, që serbët kanë vendosur në brendësi të territorit të Shqipërisë. 34 të vdekurit dhe 239 të plagosurit u përkasin rretheve të Tropojës, Hasit dhe Kukësit me një popullsi të përgjithshme prej 120 mijë banorësh dhe me një sipërfaqe të minuar prej 1400 hektarësh, ose 15 milionë e 250 mijë metra katrorë, në 117 km vijë kufitare tokësore midis Kosovës e Shqipërisë.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.