PD propozon 11 masa për t’i bërë ballë koronavirusit

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ndërsa u uroi shërim sa më të shpejtë të sëmurëve me koronavirus, informoi se forca që ai përfaqëson do të vazhdojë ta ndjekë situatën hap pas hapi.

“Ekspertët dhe specialistët tanë të shëndetësisë do të jenë në shërbimin e çdokujt, ndërkohë që grupi i krizës, i ngritur pranë PD, bashkë me ekspertët e opozitës, do të vazhdojë të monitorojë dhe të bëjë gjithçka në mundësitë, kapacitetet dhe fuqitë tona për të qenë sa më afër njerëzve dhe për të tejkaluar këtë situatë me pasoja sa më të lehta.”

Basha bëri publike 11 masat e propozuara nga grupi i punës i PD, i ngritur nga ai në fillim të shkurtit, të komunikuara për publikun nga Dr.Mirela Tabaku.

Masat e propozuara

  1. Komunikim tejet transparent dhe disa herë në ditë me popullatën në lidhje me situatën aktuale dhe masat e marra nga qeveria.
  2. Prioriteti i rëndësishëm është marrja e masave urgjente në lidhje me mbrojtjen e personelit shëndetësor dhe lehtësimin e punës së tyre në funksion të popullatës. Për këtë është e rëndësishme të veprohet me shpejtësi nga ana e qeverisë në mënyrë të organizuar, me mendje të kthjellët dhe pa panik.
  3. Pajisja e personelit me mjetet mbrojtëse (antivirus protection kit, maskat N95, tutat mbrojtëse, syzet apo vizierat që mbulojnë fytyrën, dorezat, qeset me qafa për veshjen e këpucëve dhe qeset për mbledhjen e mbetjeve).
  4. Marrja e masave për pajisjen adekuate me mjetet mbrojtëse për autoambulancat transportuese dhe stafin mjekësor të tyre.
  5. Bërja gati e çdo strukture të shërbimit parësor apo sekondar spitalor në çdo cep të Shqipërisë. Trajnim i kujdesshëm dhe i detajuar i stafeve mjekësore, qoftë për trajtimin e kujdesshëm të pacientëve, ashtu edhe për mbrojtjen e tyre.
  6. Fuqizimi dhe shtimi i kapaciteteve te laboratorëve, jo vetëm i atyre epidimiologjikë, viralë, por kudo që ato janë.
  7. Mobilizimi dhe vënia në dispozicion e gjithë personelit mjekësor, i cili sot nuk është aktiv, mjekë epidimiologë, infeksionistë apo edhe të specialiteteve të tjera dhe që janë aktualisht në pension.
  8. Rritja e kujdesit dhe promovimi i masave parandaluese për të gjithë popullatën dhe për personelin mjekësor në të gjitha mediat.
  9. Karantinim i detyruar për personat që kanë kontakt me të infektuarit dhe vetëkarantinim vullnetar për personat që vijnë nga zona të infektuara.
  10. Sigurimi i fondeve të detyrueshme nga ana e qeverisë.
  11. Zbatimi me përpikmëri i të gjithë masave dhe protokolleve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT