Optimizëm për marrëveshje VV-LDK, nis takimi Kurti-Abdixhiku, a do të vazhdojë sot seanca?

Orë vendimtare për jetën politike në Kosovë. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e institucioneve.
Para nisjes së takimit, Kurti deklaroi se takimet me LDK-në nuk përbëjnë lajm, duke theksuar se fokusi duhet të jetë te përpjekjet për konstituimin e institucioneve të Legjislaturës së 11-të.
“Do të ketë takim, do të ketë lajm”, u shpreh ai.
Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para takimit me kryeministrin në detyrë, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të konstituohet sot, duke theksuar se nuk ka arsye për vonesa në këtë proces.
Abdixhiku tha se LDK-ja nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon shtyrje të konstituimit të Kuvendit, ndërsa bëri thirrje që të vijohen procedurat për zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit.
“Ne nuk nënshtrohemi”, nënvizoi ai.
Kurti ka ftuar gjithashtu Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për takime, por këto forca politike i kanë refuzuar ftesat.