Edhe specat djegës të Divjakës me pesticide, Europa vë alarmin për produktet shqiptare (RAPORTI I RASFF)

Newsbomb.al raportoi dje se një sasi e madhe me speca djegës të eksportuara nga Shqipëria në Kroaci, janë bllokuar nga autoritetet e këtij vendi, pasi kanë rezultuar se përmbanin pesticide në nivele mbi normat e lejuara nga Bashkimi Europian.
Ato kanë pasur tre preparate mbi normat e lejuara; Flonicamidit, Chlorfenapyr dhe Tebufenpyrad. Bëhet me dije se origjina e specave djegës ka qenë Divjaka dhe prodhues është një fermer i zonës.
Ndërkohë, sot mësohet se sistemi RASFF i Komisionit Evropian, ka kthyer në vendin e origjinës, në Shqipëri, ngarkesën e madhe sepse nga analizat e zhvilluara në Kroaci, kishin nivele mbi normën e lejuar të tre preparateve Flonicamidit, Chlorfenapyr dhe Tebufenpyrad.
Sasia e specave nuk është asgjësuar nga autoritetet e Kroacisë, por është kthyer në Shqipëri me regjimin e lejimit të udhëtimit “nën vula doganore”, siç meson Qendra ALERT.
Flonicamidi është një insekticid sistemik, që synon kryesisht insektet thithëse si afidet, mizat e bardha dhe tripset, kurse Klorfenapira është një pro-insekticid me spektër të gjerë që i përket klasës së kimikateve të pirolit, i cili vepron duke u aktivizuar në trup për të prishur prodhimin qelizor të ATP-së, duke çuar në ngordhjen e insekteve.
Ndërsa Tebufenpyrad është një insekticid dhe akaricid që përdoret gjerësisht në serra.
Përdorimi i pesticideve për mbrojtjen e bimës dhe frutit në Shqipëri është i ligjshëm, brenda normave dhe afateve të përcaktuara me ligj, dhe e njëjta praktikë përdoret edhe në vendet fqinje dhe Europë.
Mirëpo, në rastet e fundit, vendet importuese kanë zbuluar se sasia e lartë e këtyre pesticideve është mbi normat e lejuara duke u kthyer në rrezik direkt për shëndetin.