Kryetari i Bashkisë Finiq kundërshton pretendimet greke për marrëveshje shqiptaro – turke për 30 mijë emigrantët sirianë

Kryetari i Bashkisë Finiq Kristaq Kiço, ka kundërshtuar pretendimet greke për marrëveshje të fshehtë shqiptaro – turke për ngritjen e një qendre pritëse për 30 mijë emigrantët sirianë.
Me anë të një deklarate në faqen zyrtare të Facebook-ut të kësaj bashkie me përbërje kryesisht nga popullësi e minoritetit etnik grek, Kristaq Kiço përgënjeshtron lajmet për ngritjen e strukturave pritëse për sirianët në hapësirën e kësaj Bashkie.
“Ndërsa jemi angazhuar për t’i shërbyer çdo qytetari të izoluar, në rrjetet sociale qarkullojnë thashetheme për krijimin lehtësirave akomodimit të migrantëve sirianë nga qeveria shqiptare”, theksohet në këtë deklaratë.
Këto thashetheme, vazhdon më tej deklarata janë mohuar nga kryetari i bashkisë së Finiqit Kristaq Kiço, i cili sqaron se: “Deri tani asnjë dokument zyrtar nuk është dërguar nga qeveria shqiptare që të kërkojë nga autoriteti bashkiak vendosjen e një strehë migrantësh në bashki.”
Më tej në deklaratë thuhet se ai, “…u bën thirrje lajmëtarëve të rremë, që këto momente të vështira t’i kushtohen sinqerisht luftës kundër pandemisë që po prek të gjithë botën dhe po kërcënon vërtet jetën dhe ekzistencën tone.”
Mirëpo, ndërkaq ka patur në mediat greke edhe një deklaratë të ministrit të zhvillimit ekonomik Adhonis Jorgjiadhis, sipas të cilit egziston një plan i përbashkët Erdogan-Rama për vendodjen e 30 mijë emigrantëve sirianë në Shqipëri, sipas të cilit ata do të kenë të drejtë të vendosen edhe në shtëpitë bosh të emigrantëve.
Kryetari i Bashkisë Kristaq Kiço siguron bashkëqytetarët e tij se ai nuk do devijojë nga objektivat kombëtare e shoqërore për mbrojtjen e strukturave demografike dhe problemin e pronave të minoritetit grek për të cilat vazhdon një luftë e ashpër juridike në gjykata.
Engjëll Serjani për Newsbomb.al