Vdes aktori i “Ezel”! 51-vjeçari gjendet i pajetë në banesën e tij në Stamboll

Aktori turk Serhat Mustafa Kılıç, është gjetur i pajetë në banesën e tij në Stamboll rreth orës 17:00 të së shtunës, 5 shtator 2026.

51-vjeçari, njihet për publikun shqiptar nga seriali i famshëm “Ezel”, i cili është transmetuar më herët në Tv Klan dhe që arriti rekorde shikueshmërie.

Serhat Mustafa Kılıç në serialin “Ezel”, si Selim Birkan (2009)

Por jo vetëm kaq! Ai ka luajtur edhe në serialin e famshëm “Osmani”…

Për vdekjen e tij kanë nisur hetime, ndërsa në dosjen e çështjes është përfshirë edhe dëshmia e të dashurës së tij, Özlem E., me të cilën ai ishte në një lidhje prej rreth 8 vitesh. Sipas dëshmisë së saj, dy ditë para se të gjendej i pajetë, Kılıç nuk kishte shkuar në një xhirim për shkak të dhimbjeve të forta nga hernia diskale në qafë.

Ai i kishte thënë se kishte marrë shumë ilaçe, por dhimbjet nuk i ishin qetësuar dhe se po vuante shumë.

Më vonë, po atë ditë, aktori e kishte telefonuar duke i thënë se ishte larguar nga seti.

“Jam i mërzitur dhe nuk dua të takoj askënd”, mësohet t’i ketë thënë ai partneres. Pas kësaj, Kılıç nuk iu përgjigj më telefonatave dhe mesazheve të saj.

Më 5 shtator, kur telefoni i tij rezultoi i fikur, Özlem E. shkoi në banesën e tij në Nurtepe me çelësin rezervë. Ajo e gjeti aktorin të pajetë në sallon dhe njoftoi menjëherë familjarët dhe urgjencën.

Sipas dëshmisë së saj, Kılıç vuante nga tensioni i lartë, gastriti dhe hernia diskale në qafë. Sipas saj, aktori nuk kishte probleme me varësinë nga alkooli apo substancat narkotike.

Shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është bërë i ditur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT