Kamioni me 1.3 ton kokainë kaloi nga Shqipëria, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti

Policia e Shtetit Shqiptar ka konfirmuar se kamioni me kokainë ka kaluar përmes Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.
Në një njoftim, Policia sqaron se ka kryer me sukses të plotë detyrimet e saj në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës.
“Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti”, sqaron Policia e Shtetit Shqiptar.
Aksioni i Policisë u krye në disa shtete evropiane, ndërsa në Maqedoni është kapur vetëm 1 kg kokainë, pjesa tjetër është sekuestruar në Itali.
Lënda narkotike ishte nisur nga Kolumbia dhe e gjitha ngarkesa me peshë 1.3 ton është zbuluar në Itali.
Policia italiane kishte lënë vetëm një qese që peshonte 1 kg me një GPS brenda, me qëllim që të mësonte destinacionin përfundimtar.