Porosia e dështuar! U nisën me motor për të shpërndarë drogë, policia u gjen edhe arsenalin e armëve

Një operacion policor i koduar “Delivery” ka goditur një rrjet të shpërndarjes së drogës dhe armëmbajtjes pa leje në qytetin e Shkodrës, duke vënë në pranga tre persona dhe duke nisur procedimin për një të katërt.

Aksioni nisi pas sigurimit të informacioneve në rrugë operative ku efektivët arritën të ndalonin në flagrancë dy të rinj që qarkullonin me një motomjet.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj drejtuesit, një 17-vjeçar që udhëtonte pa leje drejtimi, dhe pasagjerit të tij 18-vjeçar me iniciale M. M., efektivët zbuluan dhjetëra doza kanabisi të bëra gati për shitje, të cilat dyshohet se po transportoheshin drejt klientëve të mundshëm në pika të ndryshme të qytetit.

Hetimet nuk u ndalën me kaq, pasi forcat e rendit shtrinë kontrollin edhe në banesën e 18-vjeçarit, ku u zbuluan prova të tjera kompromentuese që rëndojnë pozitat e familjarëve të tij.

Brenda shtëpisë ku qëndronin edhe vëllai i tij P. M. dhe xhaxhai Z. M., policia sekuestroi rreth 280 doza të tjera kanabisi të ambalazhuara në qese farmaceutike, si dhe një arsenal të vogël armësh që përfshinte një pistoletë, një pushkë dhe një sasi të konsiderueshme municioni luftarak.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan 18-vjeçari, xhaxhai i tij 36-vjeçar dhe i mituri që drejtonte motomjetin, ndërsa vëllai 20-vjeçar i njërit prej të arrestuarve do të ndiqet në gjendje të lirë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT