Qeveri të përbashkët me PD? “Rama dakord, ka vetëm një kusht”

PD ka kërkuar tashmë edhe zyrtarisht krijimin e një qeverie të përbashkët me PS-në, 100 ditë para zgjedhjeve, me mision kryesor sipas saj “kujdesjen për administrimin e zgjedhjeve parlamentare”.

PD i ka paraqitur, sot, tryezës katërpalëshe të Këshillit Politik një propozim në dukje teknik, për rolin e policisë në zgjedhje, një kopje të të cilit e ka shqyrtuar Exit News.

Zyrtarisht PD konfirmoi sot për Exit News se ajo kërkon një qeveri të përbashkët, të cilës i referohet me termin “qeveri kujdestare”, por, përmes zyrës së shtypit, PD u shpreh se detajet do të bëhen publike vetëm kur ajo të paraqesë një projekt-ligj për ndryshimin e mënyrës së funksionimit të Këshillit të Ministrave.

PD i ka konfirmuar këtij portali se pranon që qeveria e përbashkët kujdestare të ketë përbërje politike dhe të drejtohet nga një kryeministër politik emëruar nga PS, mjaft që ai të mos jetë Kryeministri i tanishëm Edi Rama.

Propozimi i PD-së është kopjim i të ashtuquajturit “model maqedonas”.

Sipas këtij varianti, ndërrohen Kryeministri dhe dy ministra, i Brendshmi dhe i Çështjeve Sociale, por pjesa tjetër e qeverisë mbetet e pandryshuar.

Është model që nuk ka lidhje me asnjë praktikë tjetër në historinë politike botërore dhe është kritikuar më pas edhe nga nga vetë arkitekti i tij ish-kryeministri Zoran Zaev.

Në një ndryshim të vogël nga modeli maqedonas, Partia Demokratike ka kërkuar edhe ndërrimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë po 100 ditë para zgjedhjeve.

Në qeverinë e përbashkët të vitit 2017, PD zgjodhi Drejtorin e Përgjithshëm të OSHE-së dhe të ALUIZNI-t, por nuk dihet nëse edhe këto institucione do të kërkohen prej saj edhe në qeverinë e përbashkët të kësaj here.

Pyetjeve për konfirmimin e elementëve të mësipërm, PD refuzoi t’i përgjigjej duke pohuar se do t’i merrnim vesh kur ajo të vendosë t’i bëjë ato publike.

Kurse burime nga Partia Socialiste kanë bërë të ditur se Kryeministri Rama “është i gatshëm të bëjë qeveri të përbashkët me PD-në, por me kushtin që të mbetet ai në krye të kësaj qeverie”.

Duke qenë se PD e konsideron kusht kryesor dorëheqjen e Ramës nga kryeministër, aktualisht ka një ngecje të negociatave.

Sipas burimeve të Exit në PS, negociatat me PD-në për një qeveri të përbashkët parazgjedhore po zhvillohen “në kanale të tjera nga ato të diskutimit të reformës zgjedhore” dhe janë “konfidenciale”.

Mësohet se fillimisht PD ka propozuar një qeveri krejtësisht teknike, pra, me ministra që nuk kanë qenë pjesë e politikës aktive vitet e fundit, por ky propozim është hedhur më pas poshtë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT