U dogjën rreth 250 pemë ulliri dhe frutore, policia arreston autorin e zjarrvënies në Rrogozhinë

Policia ka arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të zjarrvënies në fshatin Lekaj, në Rrogozhinë, ku si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 250 pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore.

Sipas Policisë, pas njoftimit për zjarrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, ndërhynë menjëherë për shuarjen e flakëve, të cilat rrezikonin edhe banesat në zonë.

Gjatë hetimeve, grupi hetimor konstatoi se në oborrin e banesës së shtetasit N. U. kishte vatra zjarri, ndërsa pas banesës u gjet një tjetër vatër, nga e cila dyshohet se flakët u përhapën dhe përfshinë sipërfaqen me ullinj dhe pemë frutore.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin N. U., banues në fshatin Lekaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës u bën thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të rrezikojë jetën, pronën dhe mjedisin.

Policia fton gjithashtu qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT