Ridvan Bode në SPAK/ Si grabiten shqiptarët nga koncesioni abuziv i markimit të karburanteve?!

Qytetarët shqiptarë paguajnë çmimin më të lartë të naftës krahasur me vendet e Rajonit apo vendet me super ekonomi të Evropës, kjo edhe për shkak të koncesioneve korruptive.
Konkretisht, shqiptarët paguajnë 7 taksa mbi naftën, çka përbën një rekord botëror, por 2 nga këto taksa nuk shkojnë në buxhetin e shtetit, por në xhepat e privatit.
Sipas të dhënave, taksa e markimit dhe skanimi, të dyja afro 3 lekë për liter, shkojnë direkt në xhepat e koncesionarit. Pra, vetëm te nafta, konsumatorët paguajnë rreth 15 milionë euro në vit që shkojnë të ardhura për koncesionet e skanimit dhe markimit të karburanteve.
Por kjo është vetem maja e asjbergut të shifrave marramendëse që përfitojnë koncesionarët.
Le të analizojmë koncesionin e markimit të karburanteve, të firmosur nga ish-ministri i PD, Ridvan Bode, sot anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH. Koncesioni 10 vjeçar me vlerë 150 milionë euro rezultoi një skandal, pasi kompania që e fitoi atë, figuronte në dosjet e “Panama Papers”. Ish-ministri i ngarkoi shqiptarët me 15 milionë euro taksa në vit, për një shërbim që deri në 2013 kryhej me kosto zero lekë.
Koncesioni i dhënë me nxitim në fund të mandatit në 2013, nga Berisha dhe Bode, për markimin e karburanteve, ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e koncesioneve. Që në fillim të saj, vetë Ministria e Financave pranon se procedura e ndjekur është ajo e koncesionit të pakërkuar nga shteti, që do të thotë se qeveria po e kthen këtë shërbim monopol privat pas kërkesës së vetë privatit. Në një padi të vitit 2015, shoqata e Hidrokarbureve pohoi se, edhe pse nafta as nuk markohet dhe as nuk skanohet, biznesi paguan tarifat të cilat janë përfshirë në çmim me 2 lekë për litër. Ministria e Financave ka një dosje me prova se koncesionari i markimit, GFI Albania, nuk ka kryer asnjë investim dhe është në shkelje të plotë të marrëveshjes. Por pavarësisht kësaj, shqiptarët vazhdojnë të paguajnë.
Skandali me shifrat
Kompania koncesionale ka hyrë në treg me ofertë të pakërkuar. Çmimi fillestar ka qënë 200 lekë/1.000 litra. “Komisionerët” e tenderit të ish-ministrit Bode, ekspertëve e kanë rritur atë deri në 614 lekë/1.000 litra, aq sa është në kontratë. Një shifër shumë e lartë nëse e krahasojmë me vendet e BE. A e dini sa është kjo në BE? Dy cent/ton karburant të markuar! Për një anije 15 mijë tonëshe (aq sa janë në përgjithësi anijet importuese në portet tona) kompania GFI ka marrë 15 mijë X 6 euro/ton baraz 90.000 euro. Rreth 500 mijë ton është produkti që importohet në tregun shqiptar, sipas specialistëve. Kjo do të thotë se që nga momenti i hyrjes në fuqi të saj konsumatorët kanë paguar rreth 15 milionë euro shtesë në vit përmes rritjes së çmimeve, për një shërbim që e kishte kryer me kosto zero inspektorati teknik. Në shumicën e vendeve të Europës, markimi i karburanteve bëhet përmes kompanive private në treg të lirë, jo monopol.
Kompania në Panama Papers
Ndërkohë më vonë u publikua një skandal tjetër, pasi u zbulua se kompania GFI, figuronte në dosjet e skandalit financiar të “Panama Papers”, ndërkohë qe ishte një nga aksionerët kryesorë të monopolit të markimit të karburanteve në Shqipëri. Ajo ishte regjistruar në vitin 2013 në ishujt Anguilla. Në prill të po të njëjtit vit GFI u shpall fituese e koncesionit të markimit të karburanteve në bashkëpunim me shoqërinë “Petroleum Consulting Partners”. Kjo e fundit ishte e regjistruar në Zvicër, me pronare që nuk dihen. Kur fituan koncesionin GFI kishte 75 % të aksioneve, ndërsa Petroleum Consulting Partners 25 %. Dy vjet më vonë raportet ndryshojnë tërësisht., pasi GFI i shet thuajse të gjitha aksionet tek “Petroleum Consulting Partners”. GFI mban vetëm 0.07 % të aksioneve, ndërsa “Petroleum Consulting Parners” merr 99.93 % të tyre. Në dhjetor të 2015 -tës kompania koncesionare për markimin e karburantit në Shqipëri ndërpreu punën. Ishte GFI që e bëri njoftimin, edhe pse partner në minorance të dukshme në këtë konceison. Ajo shpjegoi se ndërprerja erdhi si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga Minsitria e Financave. Por ky ngërç u kalua në dialog me qeverinë dhe kompania rifilloi punën.
Gjithë këto të dhëna janë indicie e mjaftueshme për nisjen e hetimeve në themel nga SPAK, rreth kësaj kontrate abuzive, miratimit me ofertë të pakërkuar, përfshirja në PanamaPapers dhe nxitimi për ta firmosur në ditët e fundit të qeverisjes. Sot shqiptarët po paguajnë kostot e politikës së papargjegjshme.
Gazeta SHQIP