La politikën për moderimin, Grida Duma RRËFEN momentin e vendimit: Ishte një shenjë, PD po linte shumë për të dëshiruar…

Para katër vitesh Grida Duma dorëzoi mandatin e PD për të marrë detyrën e moderatores në emisionin “Top Story” në Top Channel. Në një rrëfim të bërë në podcast-in “UET Cast”, ajo ka treguar se si e mori vendimin të tërhiqej nga politika dhe t’i bashkohej televizionit.

Duma e ka konsideruar propozimin e marrë nga Lori Hoxha, si të ardhur në momentin e duhur, si edhe është shprehur se në atë kohë kur mori vendimin, Partia Demokratie “i linte shumë për të dëshiruar”.

Moderatorja e konsideron zgjedhjen e bërë si të duhurën, duke marrë si shembull gjendjen politike të vendit sot.

“Nuk isha e detyruar. Asgjë nuk është tashmë e detyruar në jetën time. Nuk kam asnjë kondicion, përveç jetës, shëndetit dhe dashurisë për fëmijën tim. Kudo që mund të jem, e di që e nis nga fillimi dhe e di që mund ta ndërtoj një standard jete që më rri mirë. Nuk më duhet shumë për të jetuar mirë dhe besoj që kjo është aftësi apo dhunti e atyre që jetojnë më shumë me mendje sesa me trup. Erdhi në kohën e duhur. Ishte një propozim i cili më la pa frymë për momentin. CEO i Top Channel, ishte duke rikonceptuar mënyrën sesi do ta drejtonte televizionin, bashkë me aksionerët e tjerë. Kur e dëgjova propozimin shtanga në një farë mënyre. Por besoj se ishte e dhënë, një shenjë. Erdhi në momentin e duhur.

Për mua në ato çaste humbi plotësisht të bërit politikë, në një grupim politik i cili kishte humbur kohezionin, shumësinë dhe qartësinë e vet. Kanë qenë zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, dhe kam pasur një protagonist të PD-së në emision, i cili më tha: “Si ta bënim PD-në? Ti ike, disa të tjerë ikën.

Iu përgjigja: “Sepse ju u çmendët”(qesh).

Nga pikëpamja politike dhe logjike, për mua, Partia Demokratike linte shumë për të dëshiruar, sa i përket arsyes pse po bëhej politikë. Fragmentarizimi i saj, mungesa e mirëkuptimit brenda vetes, mungesa e kohezionit dhe bërjes bashkë për gjëra që ishin më të mëdha sesa të voglat që na ndanin, vendosja e gishtit dhe fajtorit brenda vetes pafund, a thua se nuk e dinim që përgjegjësit nuk ishin as anëtarët, as bashkëvepruesit në politikë, por ishte udhëheqësia e Partisë Demokratike, midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, apo mes Sali Berishës dhe vetë Sali Berishës.

Nuk mendova se do ta bëja në çastin e parë. Mendova se mund të tentoja të hyja edhe në media dhe ta mbaja pozicionin politik. Mendoj se njeriu në jetë duhet të ketë këllqe dhe guxim të bëjë një zgjedhje. Besoj se bëra zgjedhjen e duhur nëse shohim sesi janë sot të gjitha ata që marrin pjesë në estabilishmentin politik aktual”, është shprehur ajo.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT