2000 m2 plazh publik më shumë në Sarandë, bashkia zgjeron vijën bregdetare, hapësirë komode për turistët dhe pushuesit në prag te sezonit të ri

Nga Engjëll SERJANI

Plazhi publik në Sarandë është duke u zgjeruar me 2000 m² më shumë dhe ky projekt nuk është thjesht një ndërhyrje infrastrukturore, por një investim me ndikim të drejtpërdrejtë social, ekonomik dhe turistik për qytetin.

Në një hapësirë urbane ku vija e bregdetit është e kufizuar dhe ku kërkesa gjatë sezonit veror tejkalon shpesh ofertën, çdo metër katror i shtuar përbën një lehtësim real për pushuesit. Kjo sipërfaqe e re i bashkëngjitet plazhit te mëparshëm me rreth 3.500 m² duke vënë në shërbim të plazhistëve për sezonin një sipërfaqe të përgjithshme prej 5 500 M² të plazhit publik brenda vijës bregdetare te qytetit.

Sipas kryetarit te Bashkisë së Sarandës Oltion Çaçi, projekti rrit aksesin publik në det. Në shumë zona bregdetare, hapësirat janë të zëna nga struktura private apo nga terrene të papërshtatshme për frekuentim masiv.

“Shtimi i sipërfaqes publike krijon më shumë barazi në përdorim, duke u dhënë qytetarëve dhe turistëve mundësinë të shijojnë detin pa barriera fizike apo ekonomike”, thotë Çaçi.

2000 m2 plazh publik më shumë në Sarandë, bashkia zgjeron

2000 m2 plazh publik më shumë në Sarandë

Projekti ka ndikimi të drejtpërdrejt edhe në cilësinë e shërbimit. Një plazh më i gjerë do të thotë më pak mbingarkesë, më shumë hapësirë mes pushuesve, më shumë siguri dhe komoditet.

Kjo përkthehet në përmirësim të eksperiencës turistike, nënvizon kryekashkiaku Çaçi, familjet me fëmijë, të moshuarit apo vizitorët e huaj do ta përjetojnë më lehtë dhe më qetë kontaktin me diellin dhe detin. Hapësira shtesë krijon mundësi edhe për organizim më të mirë të shërbimeve ndihmëse – dushe publike, kabina zhveshjeje, zona hijëzimi, hapësira për aktivitete sportive apo për persona me aftësi të kufizuara.

Projekti ka ndikim ekonomik. Një plazh publik funksional dhe i standardeve bashkëkohore rrit atraktivitetin e destinacionit. Në një treg turistik gjithnjë e më konkurrues, ku riviera shqiptare përballet me oferta nga rajoni, përmirësimi i infrastrukturës bazë është element kyç për zgjatjen e sezonit dhe për rritjen e qëndrueshmërisë së turizmit.

2000 m2 plazh publik më shumë në Sarandë, bashkia zgjeron

Plazhi i mrekullueshem i Sarandes

Në planin urban dhe mjedisor, zgjerimi do të shoqërohet me kujdes ndaj ekosistemit bregdetar. Projekti është duke u realizuar me standarde të qëndrueshme për ruajtjen e biodiversitetit detar, me menaxhim të mbetjeve dhe me kontroll të erozionit duke shërbyer si model i zhvillimit të balancuar mes natyrës dhe turizmit.

Në thelb, ky investim i Bashkisë së Sarandë nuk është vetëm shtim metri katrorësh, por zgjerim i hapësirës publike, i frymëmarrjes urbane dhe i mundësisë që qytetarët e vizitorët të jenë më pranë diellit dhe detit, dy pasuritë më të çmuara të kësaj perle të bregdetit shqiptar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT