317 mijë shqiptarë kanë emigruar nga vendi gjatë 2011-2017, baras me zbrazjen e Fierit ose Durrësit
Janë rreth 1.6 milionë individë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, deri në janar 2018, sipas të dhënave të Diasporës, një publikim i ri i INSTAT. Nga këta 825 mijë individë (gati 53%) janë meshkuj dhe 755.6 mijë janë femra.Pjesa më e madhe e tyre kanë ikur pas viteve ’90, por edhe vitet e fundit ritmi i të ikurve vijon të mbetet i lartë.Sipas INSTAT shqiptarët e larguar jashtë vendit gjatë periudhës 2011-2017 arritën gjithsej në 317 mijë persona.Ky vlerësim u bë duke marrë në konsideratë krahasimin e dy popullsive asaj të popullsisë banuese dhe regjistrit civil. Si bazë u mor popullsia më 1 janar 2018 e regjistrit civil, e cila përmban të gjithë shtetasit shqiptarë pavarësisht vendbanimit të tyre (edhe ata që jetojnë jashtë vendit) sipas moshes dhe gjinisë. Kësaj popullsie ju zbrit popullsia e përllogaritur nga INSTAT (përllogaritje vjetore), e cila i referohet popullsisë banuese në vend (personat që plotësojnë kushtin e vendbanuesit të zakonshëm- që jetojnë në vend për 12 muaj ose më shumë). Në këtë mënyrë u përftua një vlerësim i shtetasve shqiptarë që nuk jetojnë në vend në 1 janar 2018.Kjo shifër është më e lartë sesa popullsia e qytetit të dytë më të madh në vend, Fierit, që në janar 2018 kishte 298 mijë banorë, apo Durrësit, me 278.5 mijë banorë.Sakaq INSTAT ka identifikuar se mosha mesatare e emigrantëve është më e ulët se ajo popullsisë banuese në Shqipëri.Mosha mediane e popullsisë së diasporës rezulton 32 vjeç, e cila mbështet dhe faktin që emigracioni shqiptar involvon një popullsi të re dhe se diaspora shqiptare është më e re në moshë sesa popullsia banuese në Shqipëri, ku mosha medianë gjatë vitit 2017 shënoi vlerën 35 vjeç.