Covid-19 nuk është pandemia e parë që ka prekur Shqipërinë, “Vdekja e Zezë” pushtoi jugun në 1625

Situata që po përjetojmë me koronavirusin nuk është e panjohur për historinë njerëzore.

E shkuara numëron 6 pandemi globale me përmasa dramatike për njerëzimin.

Vdekja e Zezë që shkaktoi 75 milionë të vdekur nisi nga Azia në 1331 e vazhdoi në Europë.

Cikli i saj i parë zgjati mbi 20 vjet. U rikthye herë pas here ndër shekuj duke vrarë rreth 137 milionë njerëz.

Nga kjo murtajë u prek dhe Shqipëria.

Në historinë mesjetare të Europës, epidemitë e murtajës (e njohur ndryshe edhe si vdekja e zezë) krahasohen me luftërat për faktin se në mungesë të mundësisë së kurimit të saj, sillte shfarosje masive të popullatës, trazira e rrënim ekonomik. Epidemitë e saj vlerësohet të kenë përgjysmuar popullsinë e Europës.

Kjo sëmundje dhe pasojat e saj përmenden vazhdimisht në historitë e vendeve të tjera dhe janë trajtuar gjerësisht megjithatë në historinë e Shqipërisë është folur pak ose aspak.

Profesor Pëllumb Xhufi ka sjellë një  studim për historinë e murtajës apo “vdekjes së zezë” në Shqipëri.

“Epidemitë e murtajës kanë qenë një dukuri që e ka shënuar fort historinë e shoqërisë mesjetare shqiptare. Siç thuhet në një raport të vitit 1625 nga Shqipëria e Jugut, mjaftonte edhe dyshimi më i vogël për rënien diku të murtajës, që aty të ndryshonte krejt rrjedha e jetës… Dokumentacioni që ne kemi gjetur i përket brezit bregdetar prej Vlore deri në Frar (Fanar), me një rreze në thellësi, që shtrihet deri në vijën Janinë-Kostur-Manastir e Shkup. Ndër konkluzionet, që mund të nxjerrim nga një shqyrtim i parë i materialit, është, së pari, se epidemitë e murtajës binin në këtë trevë me një frekuencë mjaft të lartë. Kështu, për shek. XVII, vetëm në zonën e Delvinë-Paramithisë dëshmohen të tilla në vitin 1604, 1606, 1611, 1621, 1624, 1627, 1642, 1649, 1659, 1662 dhe 1673. Por, akoma më të shpeshta ishin alarmet për rënien e murtajës, të cilat, edhe kur rezultonin të rreme, destabilizonin njëlloj jetën dhe shoqërinë”,  shkruan Xhufi.

Një detaj interesant i shkrimit është ai që dëshmon se kjo sëmundje është përdorur edhe si instrument manipulimi, për diversion ekonomik e ushtarak, me qëllim për t’u mbrojtur nga pushtuesi.

Një rast i ngjashëm, që përmendet në shkrimin e Xhufit është ai i regjistruar në Berat, në tetor të vitit 1658 ku një një ushtri e madhe osmane kishte mbërritur në atë qytet për të kaluar disa kohë, para se t’i drejtohej viseve të Vlorës.

“Zëra të interesuar përhapën fjalë për rënien e murtajës në qytet. Lajmi solli përshtjellim tek trupat osmane dhe tek popullsia vendase, e cila fajësonte ato për sjelljen e infeksionit. Kështu, dezertimet e vazhdueshme dhe armiqësia e vendasve, e detyruan komandantin e dërguar nga Porta t’i shpërngulte trupat e mbetura në Tërhallë të Thesalisë, ku do të dimëronin në pritje të rifillimit të fushatës pranverën e ardhshme”, vijon Xhufi në shkrimin e tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT