Rrëzohet urdhri i Ministrisë së Financave për “duty free”, gjyqtari i jep të drejtë gruas së Gjin Gjonit: Do ta kuptoni ku fle lepuri. Reagon Ambasada e SHBA

Gjykata Administrative ka pranuar padinë e shoqërisë ADFD për shërbimin “duty free” në Rinas. Gjykata rrëzoi urdhrin e Ministrisë së Financave që i anuloi lejen e shfrytëzimit për 5 vjet të tjera të “duty free” ne Rinas nga ADFD.
Të pranishëm gjatë shpalljes së vendimit ishin edhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë.
Gjyqtari Avdi Sejdi pasi shpalli vendimin iu tha të pranishmëve: “Kur ta merrni vendimin e arsyetuar lexojeni me kujdes dhe do ta kuptoni se ku fle lepuri”.
Pas vendimit, ka reaguar e zhgënjyer edhe Ambasada e SHBA në Tiranë, duke qenë se Gjykata ka favorizuar gruan e Gjin Gjonit, në dëm të një kompanie amerikane.
“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
“Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset.
Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme”, vijon deklarata.
Kompania “Albanian Duty Free Distribution” shfrytëzon prej kohësh hapësirën “duty free” në Aeroportin e Rinasit. Pronarja e vetme e saj, Elona Çaushi është bashkëshortja e gjyqtarit të Apelit, Gjin Gjoni.
Keqardhje në lidhje me këtë vendim ka shprehur edhe Ministria e Financave, megjithëse ka qenë po ky institucion që përmes dy vendimmarrjeve, fillimisht dhënien e licencës dhe më pas anulimin e saj, u bë shkak për këtë përplasje në gjyqësor.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpreh keqardhjen për vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndaj çështjes administrative civile, mbi vendimin administrativ për anulimin e autorizimit për magazinat doganore private Duty Free Shop”, thuhet në reagimin e MF.
Ministria nuk komenton vendimmarrjen, por thekson rëndësinë që ka sistemi gjyqësor në klimën e biznesit dhe forcimin e shtetit të së drejtësi, edhe si një prioritet i Qeverisë shqiptare.
Dhoma Amerikane e Tregtisë e cilësoi rastin në fjalë si shembull tipik i burokracive dhe pengesave të vazhdueshme që burojnë nga institucionet e drejtësisë shqiptare, që për investitorët e huaj janë absurde.
“Jemi të shqetësuar për ngjarjen, jo vetëm për investitorin amerikan në fjalë, por për mesazhin negativ që u jepet investitorëve të huaj që duan të vijnë në Shqipëri. Shumë njerëz, duke u nisur nga një rast i tillë, por edhe nga klima e përgjithshme, nuk e shohin klimën të mirë. Shumë investitorë të huaj mendojnë që që është e vështirë që të bësh biznes në Shqipëri. Ky është një rast që ka marrë një kohë shumë të gjatë”, deklaroi Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaçe.
Jaçe thotë se rasti i “International Cruise Duty Free” nuk është i vetmi dhe se ka edhe shumë kompani të tjera amerikane që po hasin vështirësi nga faktorë të shumë, që në përgjithësi e bëjnë klimën e biznesit të pafavorshme.