Maja e malit të Tomorrit valëvit flamurin e pavarësisë

ELBASAN– Një urim disi i veçantë në këtë prag 100 vjetori të shpalljes së Pavarësisë është përcjellë nga të rinjtë gramshiotë për të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke ngritur flamurin kuq e zi në majën më të lartë të Malit të Tomorit. 

Ishte një iniciativë e biznesmenit nga Gramshi, Ilir Llapushi, i cili i bëri thirrje të gjithë të rinjve të këtij qytetit të bashkohen dhe së bashku të ngrenë flamurin kuq e zi në majën më të lartë të Malit të Tomorit, nga ku edhe rrethohet kjo qytezë e vogël. 

“Do të mbetet një kujtim i paharruar për mua, madje më vjen mirë që thirrjes sime iu bashkuan këta të rinj, që e duan vendin e tyre”, tha biznesmeni Ilir Llapushi. 

Maratona nisi në qytet një ditë më parë, ku me dhjetra makina të “veshura” me flamurin kuq e zi parakaluan rreth qytetit, duke krijuar një atmosferë tepër të bukur, madje duke ftuar edhe qytetarë të tjerë t’i bashkohen këtij eventi të rëndësishëm për ta. 

“Për të mbërritur në destinacion, duhej një kohë e gjatë për të udhëtuar, pasi mungesa e infrastrukturës lë për të dëshiruar në këto rrugë”, thotë Iliri. 

Të rinjtë gramshiotë nuk patën as hezitimin më të vogël për t’u kthyer, por të mbledhur tok, ato krijuan edhe një kamping në një nga lëndinat e malit, ku edhe kaluan natën. 

“Për të mbërritur në majën më të lartë të Malit të Tomorit, duheshin rreth katër orë udhëtim në këmbë, një tjetër aventurë e këndshme për të gjithë ne, të cilët të rreshtuar njëri pas tjetrit dhe të mbuluar me flamurin Kuq e Zi as që nuk e ndjemë fare rrugën malore”, shton Iliri. 
Pasi kanë arritur në lartësinë e 2416 metra, të rinjtë gramshiotë kanë vendosur një flamur 3 metra të gjatë me shtizë 4 metra në këtë majë, duke e siguruar mirë që erërat e malit të mos e rrëzojnë atë. 

Një këngë për famurin në majën e këtij mali dhe një urim për të gjithë shqiptarët është përcjellë nga të rinjtë gramshiotë për ta transmetuar atë në të gjitha mediat dhe në rrjetin social ‘Facebook’. 

Këtu përfundoi udhëtimi i parë i të rinjve gramshiotë me iniciativën e biznesmenit Ilir Llapushi, por që sipas këtij të fundit, aktivitete të tjera do të përcillen deri në ditën e madhe të kombit shqiptar, 100 vjetorin e Pavarësisë. 

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT