Qeveria përdor Gjendjen e Jashtëzakonshme për të pezulluar protestat

Kuvendi votoi në seancë plenare pikën 16 të rendit të ditës, e cila bënte fjalë për shtyrjen e afatit të Gjendjes së Jashtëzakonshme, bazuar në një vendim të qeverisë.
Sipas vendimit të Qeverisë dhe që kërkonte miratimin në Kuvend, sepse kështu parashikohet në ligj, Gjendja e Jashtëzakonshme u shty deri në 31 mars të vitit 2020. Sipas ligjit për Gjendjen e Jashtëzakonshme, Qeveria e shpall atë me një afat për vetëm 30 ditë dhe më pas hyn në lojë Kuvendi për të miratuar afat shtesë të kësaj Gjendjeje me propozim të Qeverisë.
Por, a është e nevojshme mbajtja e Gjendjes së Jashtëzakonshme edhe për tre muaj?! Në pamje të parë duket qartazi se kjo po bëhet për axhendën politike të Ramës. Sepse, vetë ky i fundit në daljet e tij në media ka konfirmuar se tashmë janë strehuar të gjithë familjarët e mbetur pa strehë; në shtëpi me qira, hotele, apo çadra dimërore.
Pra, nëse ka mbaruar ky proces, atëherë shtyrja e Gjendjes së Jashtëzakonshme ka të tjera qëllime, që nuk lidhen aspak me fatkeqësinë natyrore.
Me zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, qeveria nuk i shërben qytetarëve të prekur nga tërmeti, por axhendës politike të Edi Ramës, i cili po tenton të groposë opozitën, duke i hequr asaj të drejtën për protestë.
Gjithmonë nëse vetë opozita në emër të zgjidhjes së krizës politike do të përdorë protestat si element demokracie. Sipas Kushtetutës, në qarqet ku është vendosur Gjendja e Jashtëzakonshme ndalohen zgjedhjet, tubimet, apo manifestimet. Dhe tre qarqet më të rëndësishme të vendit, Tirana, Durrësi dhe Lezha janë tashmë në këtë status të fatkeqësisë natyrore.
Manovra politike e Ramës lë pas opozitën, që dukshëm është në kërkim të një strategjie të re politike, por dhe presidentin. Kreu i shtetit pati deklaruar para tërmetit të 26 nëntorit se në 8 dhjetor do të zhvillonte një tubim në sheshin demokracia të Qytetit “Studenti”, atje prej nga nisi shembja e diktaturës.
Por, gjithçka mbeti pezull për shkak të Gjendjes së Jashtëzakonshme, e cila mesa duket do të vijojë të mbetet kështu deri në 31 mars 2020, pasi manovra e Ramës e nxjerr jashtë loje të paktën ligjërisht Metën dhe opozitën.