Prokuroria zbuloi rastësisht skandalin, çfarë sekretesh mbante në shtëpi ish-Kryespiuni i Beratit?! Materialet në “USB” ruheshin nga SHISH në “një kopje të vetme”
Ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit në Berat, Aleksandër Shulla dhe djali i tij, Pandeli Shulla janë vënë nën akuzë nga Prokuroria për tre akuza penale, të cilat lidhen me organizimin e lojërave të fatit, mbajtje e armëve pa leje dhe nxjerrje e sekretit shtetëror.
Ka qenë një kontroll krejt rastësor në një lokal në lagjen “30 Vjetori” të qytetit të Beratit, në pronësi të Pandeli Shullës, nga i cili është hedhur dritë mbi një skandal të përmasave të mëdha që ka përfshirë degën e Shërbimit Informativ të Shtetit në qytetin e një mbi një dritareve.
Policia kishte marrë informacion në rrugë operative se në lokalin e djalit të ish-Kryespiunit të Beratit zhvilloheshin lojëra fati dhe gjatë kontrollit, aty janë konstatuar kompjuter të markave të ndryshme, me lojëra online të ngjashme me ato të Adex Casino.
Efektivët kanë ushtruar kontroll dhe në shtëpinë ku jeton Pandeli Shulla, e cila është në pronësi të babait të tij, Aleksandrit.
Ky kontroll ka rënduar pozitat e babë e bir dhe ka zbuluar skandalin e rëndë të SHISH në Berat. Efektivët kanë gjetur një krëhër metalik ngjyrë bronxi me 5 fishekë, të paplasur të kalibrit 7.62 mm, një çantë dore ngjyrë të zezë brenda të cilës u gjetën 3 krehër, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.
Aleksandër Shulla ka ushtruar detyrën si Drejtor i Shërbimit Informativ Berat dhe oficerëve u ka shpjeguar se, në nëntor të vitit 2023 është larguar nga detyra dhe ka dorëzuar armatimin por ka harruar të dorëzojë municionin e gjetur në banesë nga shërbimet e policisë.
Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë. Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucion. Në këto kushte, municioni nuk ka pasur lidhje me detyrën e tij.
Gjithashtu, oficerët nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit kanë analizuar dy nga materialet e ndodhura në Usb-në me emërtimin “Usb drive”, të cilat kanë rezultuar se janë të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administrohen në SHISH në kopje të vetme.
Kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me aktet që normojnë punën e SHISH.
Prokuroria e Beratit thotë se marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.
“Rezulton përfundimisht e provuar se i pandehuri Aleksandër Shulla ka qenë me detyrë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka kopjuar materiale që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, dhe i janë besuar për shkak të detyrës”, thotë njoftimi.
Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, dhe përhapja e tyre në dy Usb brenda në banesën e të pandehurit, kur ai nuk ushtronte më as detyrën e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.