Tre krizat e Kosovës dhe nevoja për një qeveri të Unitetit Kombëtar

Mero Baze
Qeveria Kurti Mustafa po shkon drejt rrëzimit, pasi LDK nuk pranoi shkarkimin e njëanshëm të Ministrit të Brendëshëm Agim Veliu, pa u konsultuar më parë me të, sipas marrëveshjes për bashkqeverisje. Shkuarja e qeverisë në mocion mosbesimi, inicuar nga LDK, do të thotë teorikisht rrëzimi I qeverisë.
Qeveria po rrëzohet në një kohë kur Kosova rrezikohet si gjithë bota nga kriza e epidemisës së koronavirusit dhe nga tensioni i raporteve me SHBA për shkak të kalkulimeve që qeveria po bën me heqjen e taksës 100 përqind me Serbinë e Bosnjën.
Edhe pse Albin Kurti e ka premtuar qysh në fushatë, heqjen e taksës, ai po përpiqet ta shkëmbej atë, me heqjen e mandatit të Presidentit Thaçi në bisedimet me Serbinë. Në një farë mënyre, ai kërkon ti thotë SHBA, nëse doni ta heq taksën, më hiqni Thaçin nga tryeza e bisedimeve. Ky është një kushtëzim paksa i palexueshëm nga Uashingtoni, i cili fal dhe ambasadorit Grenell dhe toneve të tij arrogante, as që do të dëgjoj histori të tilla.
Rrëzimi I qeverisë është një akt i pastër politik i Albin Kurtit për qëllime që i di vetëm ai personalisht. Por publikisht ato lexohen si frikësim i tij, për tu përballur me këto dy kriza.
I bindur se heqja e taksës pa hequr Hashim Thaçin nga tryeza e bisedimeve e bën atë një figurë të parëndësishme në bisedime, dhe po ashtu frika se menaxhimi i situatës emergjente të epidemisë, me një kabinetë të përçarë, siç u provua dje pas propozimit të Thaçit për gjendje të jashtzakonshme, duken arsye të besueshme që Albin Kurti të ketë provokuar rrëzimn e qeverisë së tij, jo për arsyet që lidhen me Agim Veliun, por për pamundësinë e tij të qeverisë me partnerë.
Albin Kurti nuk është aq budalla sa të mendoj se duke bërë fakt të kryer shkarkimin e një ministri të partisë partnere, do ti hapej rrugë. Ai ka llogaritur pikërisht goditjen e një figure politike të LDK siç është Agim Veliu, për të provuar nëse ndan LDK, ose dorzon qeverinë.
Me shumë gjasa do të ndodh e dyta. Dhe është shumë banale se si qeveria e cila kishte shumë shanse të binte për arsye idelogjike, tashmë po rrëzohet për aryse bakteriologjike.
Pas kësaj Kosova gjendet përballë tre krizave, krizën me epideminë, krizën me SHBA dhe krizën e qeverisë.
E vetmja zgjidhje është një pakt një vjetor për një qeveri të Unitetit Kombëtar me teknicienë të shquar të Kosovës mbështetur nga gjithë partitë. Qeveria të zgjidh krizën e koronavirusit dhe të ul tensionet në raportet me SHBA.
Pas kësaj të shkohet në zgjedhje për të filluar lojën nga e para. Cdo vendim tjetër e zhbën Kosovën pasi e fut nën peshën e tre krizave të mëdha, të cilat nuk i përballon dot as një shtet real dhe jo më një shtet eksperimental.